A po zvarriten punimet në rrugën Grupçin-Zhelinë? Kritika nga të rinjtë e koalicionit ASH-AAA

TË FUNDIT

Forumet rinore të ASH-së dhe Alternativës kanë reaguar ndaj kryetarit të Komunës se Zhelinës, Blerim Sejdiu, duke e akuzuar atë për zvarritje të punimeve në rikonstruimin e rrugës Grupçin-Zhelinë.
Ata thonë se pse kjo rrugë nuk është në kompetencë të komunës, por ai u kishte premtuar qytetarëve se në janar të këtij viti rruga do të jetë gati.

“Rikonstruimi i rrugës Karpallak-Zhelinë ka filluar nga shtator të vitit të kaluar dhe po bëhen shtatë muaj, gjendja e rrugës Grupçin-Zhelinë është në gjendje të mjerueshme dhe për shkak të kësaj banorët përdorin autostradën duke qenë të detyruar të paguajnë pagesë rrugore. Përkundër prononcimeve të shumta të komunës së Zhelinës se nuk kanë mundur të punojnë për shkak të kushteve klimatike, këtu nuk ka ndryshuar asgjë edhe pas premtimeve se rruga do të përfundojë në janar të këtij viti, prandaj forumet rinore të ASH dhe Alternativa mendojnë se ka filluar të vijë era korrupsion”, tha Fatime Sherifi nga forumi rinor i ASH-së.

Kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, i habitur nga këto akuza, thotë se pas 35 viteve, më në fund kjo rrugë po rindërtohet.

“Unë nuk kam parë askund në Botë që njerëzit të ankohen për gjërat që janë duke u ndërtuar dhe rikonstruar, duhej të ankohen pse nuk është bërë ajo rrugë dhe jo pse bëhet dhe ajo rrugë tani po behët. Jemi në kohë dimri dhe jemi në muajin shkurt dhe nga e hëna do të vazhdojnë punimet në atë rrugë dhe brenda dy muajve ajo rrugë do të jetë e përfunduar dhe do të jetë një rrugë me të gjitha standardet që u dashur t’i ketë 35 vite më parë”, deklaroi Blerim Sejdiu kryetar i Zhelinës.

Kjo rrugë ka filluar të rindërtohet në shtator të vitit të kaluar. Televizioni 21 para një muaji raportoi mbi gjendjen e keqe të kësaj rruge, e cila është nën kompetenca të NP “Rrugët e Maqedonisë”. Drejtori i kësaj ndërmarrje Ejup Rustemi, tha se kushtet atmosferike nuk e lejojnë vazhdimin e punëve në këtë aks rrugor.