Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa ka njoftuar se nuk pajtohet me politikën e liderit të kësaj partie, Bilall Kasami për krijimin e frontit opozitar.
TV21 e pyeti Hoxhën se a nënkupton kjo se ai largohet nga Lëvizja Besa dhe se i bashkohet shumicës parlamentare, deri tani pa përgjigje.
“Të dashur aktivistë, mbështetës, simpatizantë dhe gjithë ju që në këto vite keni qenë bashkëudhëtarë në rrugëtimin tonë politik.
Më lejoni që përmes këtij postimi t’ju njoftoj se nga sot distancohem plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar” duke vlersuar se aktorët kryesor, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar.
Për detajet rreth bindjeve politike dhe njerëzve të cilët ndajnë mendimin e njejtë politik me mua do të ju njoftojmë përmes paraqitjes publike gjatë kësaj jave”, shkroi Hoxha në njoftimin e tij.
Kujtojmë se sot gjatë ditës janë takuar lideri i Besës, Bilall Kasami, ai i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryesuesi i lëvizjes së re të paralajmëruar, Izet Mexhiti. Thanë se koordinohen për krijimin e frontit opozitar./TV21
