Për të burgosurit nuk ka personel shëndetësor të pranishëm 24 orë, ndërsa situata më shqetësuese është në burgun e Idrizovës, ku një mjek kujdeset për rreth 691 persona. Standardi parashikon një mjek për rreth 300 persona. Mungesa e personelit mjekësor, pritjet e gjata për kontrolle specialistike dhe ndërprerjet e terapisë janë problemet kryesore me të cilat përballen të burgosurit në vend. Këto janë gjetjet e hulumtimit të Avokatit të Popullit, të realizuar në 11 institucione korrektuese.
“Nxitës i këtij hulumtimi janë ankesat e të burgosurve, të cilët më së shumti ankohen për mungesë të kuadrove mjekësore në institucione, mos pasja e terapisë së duhur, si dhe vështirësia e qasjes në shëndetësinë sekondare dhe terciare”, tha Faton Selmani.
Sa i përket arsyeve për mungesën e personelit mjekësor, Zëvendës-avokatja e Popullit, Sonja Trifunovska theksoi se duhet të analizohet më tej nëse problemi qëndron te interesi i ulët për të punuar në burgje, mungesa e financave apo dobësi të tjera sistemore. Problem paraqesin edhe mungesa e barnave, transporti i vështirësuar drejt spitaleve dhe kujdesi i pamjaftueshëm për shëndetin mendor.
“Për këtë arsye kërkojmë një zgjidhje të përbashkët, të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Shëndetësisë dhe Drejtorisë për sanksione, që të gjendet një zgjidhje sistematike që do t’i zgjidhte të gjitha këto probleme”, tha Sonja Trifunovska.
Mesazhi kryesor i raportit është se prioritet duhet të jetë kalimi nga një shërbim i garantuar vetëm formalisht drejt një kujdesi shëndetësor të matshëm, në kohë dhe të vazhdueshëm në çdo institucion korrektues. Nga Misioni i OSBE-së në Shkup kërkojnë rritjen e numrit të personelit mjekësor, furnizim të rregullt me barna dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve për përmirësimin e kushteve shëndetësore në burgje.
