100.000 njerëz të bllokuar në Mariupol! Ukrainasit pohojnë se kanë parandaluar depërtimin e forcave ruse

TË FUNDIT

Granatimi i qyteteve më të mëdha në Ukrainë nga ana e forcave ruse vazhdon. Përveç se nga toka, raketa hidhen ndaj shënjestrave ushtarake dhe civile edhe nga anijet. Nga deti është sulmuar qyteti Odesa. Guvernatori i zonës lindore ukrainase Lugansk, Sergej Gajdej, njoftoi se është arritur marrëveshje për armëpushim lokal. Janë dakorduar për evakuimin e civilëve nga zona e cila është nën bllokadë për shkak të veprimeve ushtarake. Megjithatë, sulmet nuk ndalen, të paktën në qytetet e tjera. Pamjet satelitore nga Mariupoli tregojnë se pothuajse nuk ka ndërtesë civile e cila nuk është granatuar.

Presidenti ukrainas Vollodomir Zelenski këtë mëngjes tha se rreth 100 mijë njerëz janë të bllokuar nën bombat ruse në Mariupol. Ai kësaj here foli para Parlamentit të Japonisë duke kërkuar përkrahje.

“Japonia zgjati dorë për të ndihmuar dhe ju falënderoj nga zemra. Kur Rusia filloi ta prishë paqen në Ukrainë, mundeshim ta shihnim botën reale. Lëvizjen e vërtetë kundër luftës, lirinë e vërtetë, shpresë për paqe, shpresën e vërtetë për sigurinë e vendit. Japonia u bë lider në Azi“, tha Vollodomir Zelenski, president i Ukrainës.

Rusia u tërhoq nga negociatat për marrëveshje paqësore me Japoninë duke i ngrirë projektet e përbashkëta ekonomike në lidhje me Ishujt e kontestueshëm Kuril për shkak të sanksioneve nga ana e Tokios që ngjalli reagim të ashpër nga Japonia. Nga ana tjetër, Sergej lavrovit nuk i pëlqejnë as hapat e as deklaratat që vijnë nga Polonia.

“Kolegët tanë të Polonisë tashmë deklaruan se në Samitin e ardhshëm të NATO-s duhet të shpërndahen ushtarë paqeruajtës në Ukrainë. Shpresoj se e dinë për çfarë po flasin. Ky do të jetë konfrontim mes forcave të armatosura të NATO-s dhe të Rusisë, gjë që të gjithë deshën ta shmangin dhe thanë se asnjëherë nuk duhet të ndodhë”, pohoi Sergej Lavrov, MPJ e Rusisë.

Nga ana tjetër, Kiril Stepanov, zëvendës përfaqësuesi i presidentit Vlladimir Putin për zonën federale të Rusisë jugore, tha se pushtimi i Mariupolit do të sigurojë lidhje të sigurtë tokësore me gadishullin e aneksuar Krime.

Një pjesë e madhe e Donjeckut dhe Lugansk janë nën kontroll të separatistëve të përkrahur nga Rusia, ndërsa nga fillimi i pushtimit rus, ata e zgjeruan territorin që është nën kontrollin e tyre.

Forcat ukrainase pohojnë se mbajnë pozita në disa fronte në luftimet me armatën ruse tashmë një muaj që nga fillimi i pushtimit rus. Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase njoftoi se është ndalur depërtimi i Rusisë në disa fronte, mes të cilave Slavjansk në zonën Donjeck në pjesën juglindore.

Ndërkohë, Evropa dhe SHBA-të paralajmërojnë sanksione të reja ndaj Rusisë.