​Kurti: Me Odalloviqin në krye të delegacionit nuk zgjidhet çështja e të pagjeturve

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka folur edhe për çështjen e të pagjeturve.

Kurti tha se Serbia nuk e ka sinqerisht vullnetin për këtë temë pasi sipas tij udhëheqës i delegacionit është Velko Odalloviq.

“Nga viti 1997-1999 ai ka qenë udhëheqës i partisë së Millosheviqit në Kosovën së okupuar nga Jugosllavia. Nuk e kuptojë pse duhet të jenë medoemos këta njerëz në dialog. Duhet të bëhet një lloj spastrimi në serbi nga këta njerëz që e kanë okupuar Kosovën dhe kanë marrë pjesë në gjenocidin e vitit 1999”, tha ai.

Kurti tha se Kosova tashmë ka udhëheqës të ri për çështjen e të pagjeturve, andaj kërkoi edhe nga Serbia ta bëjë të njëjtën gjë, pasi shtoi se Odalloviq ka qenë pjesë e okupimit dhe një nga njerëzit e Millosheviqit.

“Ne e kemi caktuar në Kosovë një udhëheqës të ri qeveritar për çështjen e të pagjeturve. Është zotëri Andin Hoti, djali i profesorit Ukshin Hoti. Në Serbi vazhdon të jetë udhëheqës Veljko Odalloviq. Nuk mendoj se mund ta zgjedhim çështjen e të pagjeturve nëse njerëz si Odalloviqi që kanë qenë pjesë e okupimit të Kosovës dhe një nga njerëzit më besnik të Sllobodan Millosheviqit të kryesojnë mekanizma kaq të rëndësishëm”.

Kurti tha se nuk e di nëse Vuçiqi qëllimisht nuk dëshiron ta largojë Odalloviqin nga delegacioni apo nuk mundet ta merr një veprim të tillë.