Dy raundet e zgjedhjeve presidenciale së bashku me ato lokale që janë zhvilluar në tre komuna i kanë kushtuar shtetit rreth 7.9 milion euro. Ndërsa për fushatën zgjedhore të zhvilluar në media janë shpenzuar 3,5 milion euro.
“Diku rreth 270 milionë denarë ishin për organizmin dhe zbatimin e zgjedhjeve presidenciale, edhe për zgjedhjet për kryetarë komunash në tre komuna, në të dy raundet. Mendoj se jemi munduar t’i shpenzojmë mjetet në mënyrë racionale. Për këto zgjedhje sollëm disa risi të caktuara të cilat kishin efekte në të gjithë procesin zgjedhor”, theksoi kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Ndërkohë këtë vit kryetari, nënkryetarja dhe anëtarët e tjerë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor informuan se nuk do të marrin bonuse dhe kompensim për punën dhe angazhimin e tyre para dhe pas zgjedhjeve edhe pse kanë një të drejtë të tillë me ligj.
“Ne si anëtarë të KSHZ-së pa asnjë bazë edhe pse ligji e lejon atë ashtu si në referendum nuk do të marrim asnjë lloj kompensimi përveç pagës tonë”, u shpreh Boris Kondarko, anëtar i KSHZ-së.
Ndërsa për kompensimet për administratën zgjedhore, komisionet zgjedhore komunale dhe këshillat zgjedhor janë vendosur disa kriteret në bazë të secilës do të marrin kompensim. Ato janë angazhimi kohor, kompetencat e punës dhe sukseset gjatë punës.
“Me shumë përgjegjësi pajtohem si për këshillat zgjedhorë sepse për herë të parë bëmë kalkulim në atë që realisht është e merituar dhe punuar nga vetë anëtarët e këshillit zgjedhor. Për komisionet zgjedhore komunale mos të harrojmë se kanë punuar 3 muaj. Nga ky kompensim disa prej tyre ndoshta mund të mos të jenë të kënaqur, por në mënyrë reale e verifikuam kompensimin në bazë të punës se tyre”, potencoi Elizabeta Posotollovska, anëtare e KSHZ-së.
Sipas të dhënave të KSHZ-së nga televizionet që kanë përfituar më shumë nga zgjedhjet janë Televizioni Sitell me rreth 10 milion denarë, ku më pas vijon Televizioni Telma dhe Alsat me nga 9 milionë denarë, Kanal 5 me 8 milion denarë e kështu me radhë.
Ndërkohë që në vitin 2017 ish-ambasadori i SHBA-së në vend, Xhes Bejli paraqiti informacionin në opinionin publik se ish-anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor gjatë vitit 2016 i kanë dhënë vetes rrogë shtesë për punën që e kanë kryer në kohën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar dhe të zgjedhjeve lokale në tetor.
Përgatiti: Valmira Zendeli
