Lidhja Socialdemokrate nuk ka pretenduar dhe nuk ka në plan të mblidhet në Kuvend pa një vendim të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, thotë nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekiri, duke ju përgjigjur pohimit të kryeparlamentarit se mbledhja e Kuvendit pa vendim të tij do të ishte grushtshtet. Zekiri thotë se pas iniciativës së LSDM-së tani i takon Xhaferit të thirrë ose jo seancë, e nëse nuk e bën këtë, Kryetari i Kuvendit do të mbajë përgjegjësi për shkelje të kushtetutës.
TV21: Si do të mbajë përgjegjësi kryetari i Kuvendit nëse nuk thirrë seancë?
Zekiri: “Sigurisht se përgjegjësia për atë se çfarë do të ndodhë në vijim nëse zgjatë situata me të cilën jemi duke u ballafaquar, bie mbi të! Tani më 16 maj do të duhet të vlerësohet sërish a duhet të ketë ose jo vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme. Konform kushtetutës, neni 63 alinea 4, thuhet se në gjendje lufte dhe gjendje të jashtëzakonshme mund të vazhdohet mandati i deputetëve dhe parlamenti të funksionojë. Pse kryetari i Parlamentit e bën këtë punë ai duhet të japë përgjigje dhe përgjegjësinë për këtë punë duhet ta mbajë ai”.
TV21: Qëndrimi i kryetarit të parlamentit është se nuk mund të thirret një strukturë tashmë e shpërbërë…
“Nuk ka rikonstituim të një subjekti të shpërbërë! A mundet ta rikonstuojë dikush shpërbërjen e Jugosllavisë, të kthehet e ta rikonstuojë”? Tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
“Ai duhet të sqarojë se kur ka qenë në të drejtë. Në 2016 kur për dy herë është kthyer parlamenti edhe pse ka qenë i shpërbërë, apo tani ka të drejtë”, tha Muhamed Zekiri, Nënkryetar LSDM.
Nisma e LSDM-së ka bërë bashkë të gjitha partitë parlamentare, përveç BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së që nuk e mbështetën rimbledhjen e Kuvendit. Për këtë opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët ka lëshuar akuta në adresë të BDI-së duke thënë se në mendjet e ish-minitrave të Gruevskit, si Talat Xhaferi e Bujar Osmani është ngulitur mendësia e përvetësimit të organeve dhe pozitave shtetërore.
“Është skandaloze të konkludosh se edhe pas 27 prillit të 2017-tës, fiks në 3 vjetorin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme, akoma do të kishte bartës funksionesh që për interesa të ngushta politike-partiake, kanë paranojën e mosbindjes para 120 të zgjedhurve të popullit”, tha Bujare Abazi, Nënkryetare ASH.
Kryeparlamentari Talat Xhfaeri para dy ditësh në TV21 ripërsëriti qëndrimin e tij se pas shpërbërjes nuk mund të kthehet parlamenti dhe se deputetët nuk e kanë më të drejtën e përfaqësimit dhe vendimmarrjes në emër të votuesve, për shkak se tashmë e kanë kthyer mandatin e tyre. Si rrjedhojë Kuvendin sërish mund ta kthejë vetë populli përmes votës në zgjedhjet që duhet të mbahen në periudhën në vijim.
Iniciativa e LSDM-së me 35 nënshkrime të deputetëve të partive të ndryshme kërkon që Kuvendi të mblidhet për të verifikuar dy vendimet e Presidentit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
