Alternativa nuk ka pse qëndron në Qeveri nëse nuk realizohet premtimi programor për rastet e montuara politike, sepse njerëzit po mbajnë shpresë. Kështu u shpreh mbrëmë në emisionin “Click Plus” deputeti i kësaj partie Skender Rexhepi –Zejdi. Ai hodhi akuza të shumta, përmendi mungesë të kapacitetit politik, duke thënë se meritat dhe përgjegjësitë i bien kryetarit të partisë Afrim Gashi.
“Nëse qeveria nuk është në gjendje në afat sa më të shkurt të përpiloj gjëra të tilla, atëherë nuk ka asnjë arsye se përse Alternativa duhet të jetë pjesë e Qeverisë. Ne kemi programin për të cilin jemi zotuar, ne kemi pikat tona. Tani nuk mund t’i shohim njerëzit në sy për faktin se ne nuk arrijmë të jetësojmë qëllimet programore që i kemi. 100 ditëshi nuk është pak”, deklaroi Skender Rexhepi-Zejd, deputet i Alternativës
Zejdi gjithashtu tha se kryesia nuk po realizon mbledhje në parti, por këtë deklaratë e hodhi poshtë sekretari gjeneral i Alternativës, Bekim Sali.
Për të gjitha akuzat e Zejdit, nga kryetari Gashi heshtje, ndonëse kërkuam përgjigje disa herë.
Sali ishte i vetmi që iu përgjigj telefonatave tona. Na tha se kryetari Afrim Gashi nuk mund të reagojë për çdo provokim që del nga Zejdi dhe se 100 ditëshi nuk është për rezultate në qeverisje, por për adaptim.
“Nuk mund të komentoj deklaratat të cilat shprehen në publik dhe nuk shprehen në organet partiake nga individë që nuk ka marrë pjesë një në mbledhje të partisë në lidhje me pjesëmarrjen në qeverisje. Çdo të hënë partia Alternativa ka koordinim dhe mbledhje për evoluimit të veprimit politik, nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi të mundshme të shprehur në organet partiake”, tha Bekim Sali.
Sali tha se nuk e di se ku i ka ngelur hatri deputetit. Shton se pakënaqësitë duhet të shprehen në kryesinë e lartë të partisë e jo në media. Nga ana tjetër Zejdi po mendon edhe opsionin e largimit të tij nga partia. Nëse në një subjekt të caktuar politik e sheh se kanë shterur energjitë, atëherë duhet të largohesh, u shpreh ai.
