Dy vrasje gjatë grabitjeve në “Gjorçe Petrov”, 30 ditë paraburgim për katër të dyshuarit

TË FUNDIT

Gjykata Penale në Shkup ua ka vazhduar edhe për 30 ditë paraburgimin katër personave të dyshuar për dy vrasjet e kryera gjatë grabitjeve në shtëpi në Gjorçe Petrov. Ata fillimisht ishin dërguar në paraburgim për 48 orë, ndërsa masa u vazhdua me vendim të gjykatës. Prokuroria po vazhdon hetimet dhe mbledhjen e dëshmive për zbardhjen e plotë të rasteve. Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer vrasjen e një 62-vjeçari më 22 tetor dhe të një 76-vjeçareje më 27 tetor.

 Sipas mediave, duke iu referuar burimeve nga hetimi, të dyshuarit i kanë pranuar veprat penale. Në njërin rast dyshohet se kanë marrë pjesë dy persona, ndërsa në tjetrin tre. I dyshuari i katërt dyshohet se ka shërbyer si shofer dhe i ka transportuar ata. Gjatë hetimeve, policia ka gjetur gjurmë të ADN-së dhe sende që dyshohet se lidhen me grabitjet.