Xhambaski ofendoi kryeministrin Kovaçevski! Osmani: Kjo ishte e tepërt, do të dërgojmë notë proteste

TË FUNDIT

Pas deklaratës së kryeministrit Kovaçevski se nuk e njeh kush është eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski, ky i fundit përmes një video u përgjigj me ofendime dhe duke mbajtur në prapavijë hartën e Bullgarisë së madhe.

 “Ne e dimë se cili është prejardhja e tij. Siç më kujtohet, ai solli kafe kur shkuam në takime me kryeministrin Borisov dhe Zaev në Shkup. Ai mbante dosje, kafe, gjëra të tilla, punë burokratike, si burrë sekretar”, tha Angel Xhambaski, eurodeputet bullgar.

Xhambaski shkon edhe më tej duke kundërshtuar edhe gjuhën maqedonase.

 “Kovaçevski pretendon se ka pasur një gjuhë maqedonase. Gjuha maqedonase është një formë letrare e gjuhës bullgare. Çdo gjuhëtar apo filolog gjithkund në botë nga këtu e deri në Zanzibar do t’jua thotë këtë dhe këtë do ta thotë me prova dhe fakte”, deklaroi Angel Xhambaski, eurodeputet bullgar.

Këto deklartata, Ministria e Jashtme i konsideron si pretendime territoriale dhe gjuhë të urrejtjes, ndërkaq Maqedonia sot do të dërgojë notë proteste deri në Bullgari.

 “Me të vërtetë edhe pse u munduam që në këtë periudhë ta injorojmë sepse qëllimi i euro deputeti është që t’i shfrytëzojë këto reagime për vet promovim, megjithatë kësaj radhe i tejkaloi të gjitha kufijtë e provokimit dhe këtu duhet të reagojë edhe Bullgaria dhe të gjithë të tjerët sepse këto janë pretendime territoriale dhe gjuhë ofenduese drejt një populli dhe për këtë nuk do të heshtim”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Në takim me Osmanin sot ishte edhe ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon. Fajon u pyet nëse si vende anëtare e BE-së do të reagojnë për një veprim të tillë. Megjithatë Fajon tha se çdo deklaratë që është e papranueshme, provokuese dhe ofenduese kërkon edhe reagim nga vendi kujt i drejtohet.

 “Bëhet fjalë për ofendim ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe unë isha dëshmitare dhe i dënoj veprimet dhe deklaratat e tij. Të gjithë këto provokime në periudhën kur të gjitha shtetet sigurojnë një mjedis pozitiv në kushte të tilla, unë i bëj thirrje të gjithë miqve në Bullgarinë fqinje që të përmbahen nga komentet jo adekuate që sjellin përçarje, atmosferë të keqe dhe konflikte mes popullsisë”, deklaroi Tanja Fajon, ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Ndërkaq ministri Osmani pret që reagim për këtë çështje të ketë edhe nga vetë Bullgaria.