VOTIMI NË TETOVË, DY BANORË NUK E GJETËN VETEN NË LISTËN ZGJEDHORE

TË FUNDIT

Dy banorë të cilët kishin dalë për të realizuar të drejtën e votës në shkollën fillore “Liria“ nuk ishin në listën zgjedhore. Banorët për Tv21 deklaruan se çdoherë kanë votuar në këtë vendvotim dhe çuditen se përse këtë herë nuk figurojnë në listen zgjedhore. Ndryshe në Komunën e Tetovës vendvotimet u hapën në kohë. Nuk ka pasur vonesë në arritjen e materialit zgjedhor.

“Unë për fat të keq nuk mund të them asgjë. Nuk jam në listën zgjedhore edhe pse kam votuar këtu në secilat zgjedhje. Kemi letërnjoftime të reja dhe sigurisht nuk i kanë përditësuar. Do të votojmë në rrethin e dytë më 5 maj”, u shpreh një qytetar.

“Njejtë edhe unë”, shtoi një qytetare.

Kryetari i vendvotimit 1977 në shkollën LIRIA në Tetovë thotë se procesi i votimit ka kaluar mirë dhe nuk ka pasur ngecje dhe paregullësi.

“Nuk ka pasur ngecje nuk ka pasur probleme edhe nga ana e vëzhguesve nuk ka pasur vërejtje, po gjithçka është dorëzuar nga këshilli komunal dhe nga ana jonë materiali është marrë në kohë”, tha Kryetari i vendvotimit 1977 Tetovë.

Edhe në Gjimnazin Kiril Pejçenoviç në Tetovë kryetari i vendvotimit 1943 thotë se gjithçka ka shkuar mbarë dhe nuk ka pasur paregullësi.

“Sipas praktikave të viteve të kaluar zakonisht qytetarët dalin fillojnë më shumë nga ora 10 dhe më pas fluksi më I madh vazhdon diku nga ora 12 ndoshta edhe në ora 14 pritet mendoj të jetë fluksi më I madh ka mesi I ditës zakonisht”, theksoi Kryetari i vendvotimit 1943 Tetovë, Binas Pajaziti.

Në rajonin e Pollogut ka gjithsej 265 vendvotime ndërsa të drejtë vote kanë 181.933 qytetarë. Ndërsa deri në ora 14 dalje më të ulët ka në Zhelinë dhe Vrapçisht. Numri më i madh i qytetarëve të cilët vendosën të votojnë vërehet në Komunën e Tetovës ku deri në ora 13 kanë votuar 13.928 qytetarë.