Angelov për PULS: Rasti Koçanit absurd, nëse pas 10 viteve ndodh tragjedi e njejtë, a duhet unë të përgjigjem kur do jem në pension?

TË FUNDIT

A do të thotë kjo se një ditë, kur unë të dal në pension, kur të kem harruar se kam qenë drejtor i DMS-së, nëse ndodh ndonjë tragjedi, dikush duhet të më arrestojë?”, pyeti drejtori i DMS-së

Ai vlerëson se pas tragjedisë në Koçan nuk është e nevojshme të ndryshohen ligjet në fushën e mbrojtjes nga zjarri, pasi, sipas tij, rregulloret ekzistuese janë mjaftueshëm të mira.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS), Stojançe Angellov, vlerëson se ish-drejtorët e këtij institucioni, të cilët janë përfshirë në përgjegjësinë për rastin e tragjedisë në Koçan, janë dëme kolaterale. Ai pyeti pse ish-drejtori Shaban Saliu do të ishte përgjegjës për tragjedinë, nëse ai e ka ushtruar funksionin dhjetë vjet para se të ndodhte zjarri.

“Unë i konsideroj drejtorët para meje si dëme kolaterale, të cilët, në atë kohë, në atë dhimbje dhe trishtim të thellë, thjesht u bënë dëme kolaterale. Unë nuk shoh se për çfarë është fajtor Shaban Saliu, i cili ka qenë drejtor dhjetë vjet para se të ndodhte tragjedia”, deklaroi Angellov në një intervistë në emisionin e Kanalit 77.

Ai bëri një krahasim me pozitën e tij dhe pyeti nëse kjo do të thotë se, në rast se pas pensionimit të tij do të ndodhte ndonjë tragjedi, edhe ai mund të arrestohej vetëm sepse në të kaluarën kishte qenë drejtor i DMS-së.

“A do të thotë kjo se një ditë, kur unë të dal në pension, kur të kem harruar se kam qenë drejtor i DMS-së, nëse ndodh ndonjë tragjedi, dikush duhet të më arrestojë?”, pyeti ai.

Duke folur për natën e tragjedisë, Angellov zbuloi se nuk i kujton plotësisht disa nga informacionet lidhur me ngjarjet në Koçan.

“Kam boshllëqe në kujtesë për disa informacione të lidhura me Koçanin, i kam shtypur ato, sepse të gjithë ne që morëm pjesë në atë tmerr kemi pasoja të caktuara”, tha Angellov.

Ai tregoi se informacioni i parë për zjarrin kishte mbërritur në numrin 112, në Qendrën për Menaxhim me Kriza, në orën 2 pas mesnate, pas së cilës ai ishte njoftuar menjëherë nga zyrtari kujdestar.

Menjëherë kishte telefonuar kryetarin e Komunës së Koçanit, i cili, sipas tij, kishte qenë ndër të parët në vendin e tragjedisë.

“Arrita ta zgjoja, ai shkoi menjëherë, ndër të parët, menjëherë, natyrisht pas zjarrfikësve. Më vonë, duke qarë, më telefonoi dhe vazhdimisht përsëriste: tmerr, tmerr, tragjedi, tragjedi. Nuk mund të fliste”, shtoi ai.

Ai vlerëson se pas tragjedisë në Koçan nuk është e nevojshme të ndryshohen ligjet në fushën e mbrojtjes nga zjarri, pasi, sipas tij, rregulloret ekzistuese janë mjaftueshëm të mira.

“Nuk duhet të ndryshohet asgjë. Ligjet kanë qenë të shkëlqyera edhe më parë. Dihet se si funksionon mbrojtja nga zjarri. Kjo ka ekzistuar gjithmonë, edhe në Jugosllavi, edhe pas pavarësisë”, tha drejtori.

Sipas tij, problemi nuk qëndronte te legjislacioni, por te mosrespektimi i tij.

“Nëse e ndjek gjykimin, do të shohësh se janë shkelur të gjitha ligjet e mundshme. Diskoteka atje funksiononte në mënyrë ilegale, madje në periudhën e fundit nuk kishte asnjë leje”, tha Angellov.

Ai iu referua edhe çështjes së inspektimeve dhe përgjegjësisë së institucioneve për kontrollin e objekteve të tilla. Sipas tij, institucionet nuk mund të kryejnë inspektim në një objekt që funksionon tërësisht në mënyrë të paligjshme dhe nuk ka lejet e nevojshme.

“Edhe ne nuk mund të inspektojmë një objekt që është ilegal, që funksionon në të zezë. Si do të kryeni inspektim në të?”, pyeti ai.

Sipas tij, tragjedia ka ndryshuar vetëdijen te qytetarët, por edhe te pronarët e objekteve ku mblidhen një numër i madh njerëzish.

“Ajo që ndodhi atje, mendoj se e ka ndryshuar vetëdijen te të gjithë qytetarët, por edhe te pronarët e objekteve të tilla”, përfundoi Angellov.

Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit “DNK”, dhe përbën një nga tragjeditë më të rënda në historinë e afërt të vendit.

Nga zjarri humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

Për zjarrin janë akuzuar 35 persona fizikë dhe tri persona juridikë. Mes tyre janë pronari i kabare-së, persona të afërt me të, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra, si dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte të ashtuquajturën kabare dhe pronarin e saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan pretendimin e mbrojtjes se ekziston lidhje kauzale, përkatësisht lidhje shkak-pasojë, mes veprimeve të tyre dhe shkakut të zjarrit vdekjeprurës.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.