VMRO-DPMNE: Xhaferi t’ia kthejë informacionin Qeverisë/ Deputetët kanë marrë vetëm një fletë, e jo pakon me protokollin

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE i kërkon Kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi që t’ia kthejë Qeverisë Informacionin për propozim kornizën negociuese, si dokument i pakompletuar. Koordinatori i grupit parlamentar të DPMNE-së, Nikolla Micevski thotë se atë që e kanë marrë dje nga Qeveria është ofendim për gjithë Kuvendin, për shkak se në vend që ta marrin të gjithë pakon me dokumente, posaçërisht Protokollin, ata prej materialeve kanë vetëm një fletë. I thirri deputetët e pushtetit që të mos votojnë për kornizën negociuese.

“Ky është i gjithë materiali që qeveria ia dërgoi Kuvendit për të sjellë vendim, në bazë të të cilit deputetët duhet të prononcohen për ardhmërinë e Republikës së Maqedonisë. Askund në materialin e dërguar nuk është dokumenti i quajtur Qëndrim i përbashkët për BE-në. Propozim korniza negociuese i BE-së, përkatësisht qëndrimi i përgjithshëm i BE-së, propozim konkluzionet e Këshillit, si dhe dokumenti më i rëndësishëm, Protokolli dypalësh mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, për të cilin ministri Osmani dhe ministrja Gençovska deklaruan se është i harmonizuar.”- deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i GP VMRO-DPMNE.

Me të njëjtin mendim është edhe Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike i cili e thirri Qeverinë që t’i dorëzojë të gjitha dokumente dhe pastaj të debatohet në Kuvend.

“Pra, kjo është pothuajse as një faqe e plotë, mendoj se kjo qasje është joserioze dhe e papërgjegjshme. Kryetari i Kuvendit Xhaferi këtë nuk mund ta pranojë si Informacion, nuk i plotëson kriteret e Rregullores, si informacion mbi të cilin mund të debatojë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Lidhja Demokratike angazhohet që të ketë debat në Parlament, paraprakisht të përgatisin konkluzione që do të jenë të pranueshme për të gjithë, veçanërisht për VMRO-DPMNE. Unë nuk besoj se kjo është në rregull që Kuvendi të sjellë konkluzione me mbivotim.”- deklaroi Pavle Trajanov, Lidhje Demokratike.

Po a do ta kthejë Xhaferi Informacionin për propozim-kornizën negociuese deri te Qeveria me kërkesë që të dërgohen të gjitha dokumentet, përfshirë edhe Protokolli? Nga Kabineti i kryeparlamentarit pa përgjigje konkrete. Thirren në deklaratën e tij për MIA, ku tha se të gjitha dokumentet janë të qasshme për publikun.

“Në koordinimin e rregullt të së hënës në Kuvend do të diskutohet se kur do të mund të mbahet seanca plenare për Informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese. Informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese për bisedimet aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian në Kuvend nga Qeveria e dërguan dje. Sipas procedurave, materiali është i arritshëm për deputetët, por në të nuk janë përmbajtur propozimi francez dhe dokumentet shoqëruese.”-tha Talat Xhaferi, Kryetar I Kuvendit.

Nga LSDM-ja thonë se deputetët duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të sigurojnë ardhmëri evropiane për qytetarët. Nenad Kociq nga kjo parti, me qëndrim se nuk ka hapësirë për korrigjim të kornizës negociuese.

“Nuk mund ta ndryshojmë propozimin francez, pasi është propozim i BE-së. Ne nuk mund të ndryshojmë diçka që kemi bërë dhe diçka që kemi krijuar ne vetë. Si mund të ndryshojmë diçka që është votuar nga ana e 27 vendeve anëtare të BE-së? Në emrin e kujt do ta ndryshonim? Ne i prezantojmë qëndrimet tona si deputetë dhe si Kuvend, ne këtu mund të debatojmë rreth qëndrimit tonë. Nuk kemi mundësi as ligjore, e as juridike dhe nuk ka kurrfarë logjike që të ndryshojmë diçka që është qëndrim i 27 vendeve anëtare të BE-së.”- pohoi Nenad Kociq, LSDM.

Ndryshe, seanca kuvendore në të cilën do të debatohet për Informacionin për kornizën negociuese ende nuk është caktuar. Të hënën fillon ribalanci i Buxhetit, e ndoshta gjatë ndërprerjes së kësaj seance,  të martën ose ndonjë ditë tjetër, do të fillojë edhe debati në fjalë.