VMRO akuza Qeverisë: Le të shpjegojë Kovaçevski se si të kalohet muaji me 50 mijë denarë

TË FUNDIT

Ekipi ekonomik i qeverisë është krejtësisht i pa ide, akuzojnë nga VMRO DPMNE. Nga atje thonë se  Arritja e tyre më e madhe është fotografimi në markete, ndërsa nuk ka projekte reale.  Deputeti opozitar Bojan Stojanovski theksoi se shporta e konsumit në muajin mars për një familje, me shpenzime sa më të ulëta, ka qenë 50.070 denarë, prej të cilave 19.263 për ushqim, 13.417 për shpenzime dhe fatura të përgjithshme dhe 6.865 për transport dhe higjienë. Sipas tij në këtë 50.070 denarë nuk përfshihen kreditë që familjet i kanë dhe i paguajnë në të njëjtën kohë, nevojat e fëmijëve nëse janë në shkollë apo fakultet, si dhe shpenzimet tjera të paplanifikuara që shfaqen në çdo familje.

“Ja, le të shpjegojnë Bitiqi apo Kovaçevski se si mund ta kalojë një familje mesatare ku dy prindër fitojnë mesatarisht 25.000 denarë në muaj dhe rritin dy fëmijë? Ose edhe më mirë, si mund të mbijetojnë pensionistët që marrin mesatarisht 18.000 denarë pension? Le të shpjegojnë se si familjet mund të mbushin tryezat e tyre dhe të kalojnë festat e ardhshme si Pashkët dhe Ramazanin? Dhe me çfarë parash?”, tha Bojan Stojanovski – deputet i VMRO DPMNE.