Mexhiti priti Haxhiun: Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prioritet i përbashkët

TË FUNDIT

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka pritur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Sipas njoftimit të Komunës së Çairit, në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin institucional dhe mundësitë për avancimin e tij në fusha me interes të përbashkët.

Bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe forcimit të marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve.

“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpresim në Shkup Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu. Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndajnë lidhje të rëndësishme historike, kulturore dhe vëllazërore, të cilat përbëjnë një bazë të qëndrueshme për thellimin e bashkëpunimit tonë. Gjatë bashkëbisedimit theksuam rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, forcimit të marrëdhënieve institucionale dhe avancimit të iniciativave me interes të përbashkët. Besoj se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy vendeve është në shërbim të zhvillimit, stabilitetit dhe perspektivës sonë të përbashkët”, deklaroi Mexhiti.