Viti shkollor nuk do të përsëritet, Ademi: Mësim online ka në gjitha shkollat! Reagon Zekiri: S’ka mësim online në sh.f. “Ismail Qemali”

TË FUNDIT

Viti shkollor nuk do të përsëritet sepse mësimi online po realizohet me sukses në të gjitha shkollat. Kështu pohon ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Arber Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës

“Sot nuk ka shkolla në territorin e vendit tonë që nuk ka filluar të zbatojë ndonjë formë të mësimit në distancë.Të gjithë janë pjesë e kësaj forme të re të edukimit. Mësimdhënësit janë të angazhuar dhe përkushtuar maksimalisht edhe në këto momentë të vështira kur rolet kanë ndryshuar ata kanë arritur nga shëpia të mbajnë komunikim me nxënësit e tyre edhe atë në bazë ditore.”

Por për deklaratën e Ademit, reagoi Muhamed Zekiri në Facebook. Ai tha se e bija e tij ndjek mësim në shkollën fillore “Ismail Qemali” dhe deri tani nuk ka zhvilluar asnjë orë online.

Muhamet Zekiri në FB:

-Ministri Arber Ademi sot kishte deklaruar se nuk ka shkolle ku nuk zhvillohet mësimi online. Fatkeqësisht realiteti është ndryshe, ministri ndoshta edhe nuk është drejt i informuar. Në shkollën fillore Ismail Qemali ne Çair ku ndjek mësimet edhe vajza ime, ajo nuk ka zhvilluar asnjë ore online deri me tani.

Tv21 kontaktoi drejtoreshën e kësaj shkolle Burbuqe Imeri. Ajo thotë se mësimi online në këtë shkollë mbahet nga dita e parë që ka arritur lajmërimi nga MASH.

“Po po mësimi online ndiqet që nga dita e parë kur ka ardhur lajmërimin nga MASH se duhet të punohet online. Shkolla ka platformën  e saj. Turp nga Muhamed Zekiri, nuk e di për çfarë e bën këtë”, tha Burbuqe Imer, drejtoresh e Shkollë “Ismail Qemali”.

Ndryshe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur një pako masash arsimore të cilat do të shqyrtohen në njërën nga seancat e ardhshme të Qeverisë. Për maturën shtetërore, Ademi tha se ministria po shqyrton dy propozime që matura shtetërore të mbahet në qershor ose të anulohet për këtë gjeneratë të maturantëve. Në pakon e masave do të jetë edhe se kur do të mbahen regjistrimet e fëmijëve në klasë të parë, nxënësve në shkolla të mesme dhe studentëve nëpër fakultete.