Vit i pasigurisë, bllokadës, pritshmërisë, por edhe i zgjedhjeve lokale të cilat shkaktuan turbulenca të mëdha politike. Kjo është pamja e skenës politike të RMV-së në vitin që lamë pas.
Vazhduan bllokadat në rrugën euroatlantike nga ana e Bullgarisë edhe përkundër asaj që vazhdimisht kishte përpjekje për arritjen e marrëveshjes dhe me atë edhe fillim i negociatave me BE. Problem shtesë ishte ajo që Bullgaria organizoi tre cikle zgjedhore dhe nuk kishte Qeveri politike. Megjithatë pritshmëritë mbetën të njëjta, vetëm u ndryshuan kryesuesit me BE të cilët pohonin se do të bëjnë gjithçka për të filluar negociatat gjatë 6 muajve të kryesimit të tyre.
Edhe në planin vendor nuk kishte asgjë të re. Në Kuvend shumë nervozë dhe seanca të tensionuara, ndërsa pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella se kush po bën teatër në shtëpinë ligjvënëse.
Në shtator u zbatua Regjistrimi i popullsisë, e më pas u mbajtën edhe zgjedhjet lokale. Me paralajmërimin ALL IN Zaev paralajmëroi se nëse nuk fiton në Shkup, do të largohet nga të gjithë funksionet. Por jo vetëm që pësoi disfatë në Shkup, por rezultati i keq në zgjedhjet lokale ishte arsyeja për dorëheqjen e tij jo vetëm nga posti i liderit të LSDM, por edhe nga posti i kryeministrit. Dhe përderisa në Bihaçka jepte dorëheqje, nga pallati i bardhë i VMRO-DPMNE dëgjoheshin fishekzjarrë nga festa për fitimin e zgjedhjeve.
Më pas Besa paralajmëroi largim nga Qeveria, pas çka VMRO-DPMNE e publikoi fotografinë e shumicës së re parlamentare, gjë të cilën e ka paralajmëruar gjatë tërë vitit. Në të përveç Besës, ASH dhe AA, ishte edhe E Majta. Pas kësaj u caktua edhe seancë në Kuvend për mosbesimin e Qeverisë. Por edhe këtu ndodhi kthesë. Deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi nuk erdhi në seancë dhe me këtë ra në ujë shumica parlamentare e cila nuk arriti ta rrëzojë Qeverinë.
Përforcimi i shumicës së pushtetit nga deputetët e Alternativës ia hapi rrugën Zaevit që të realizojë dorëheqjet. Së pari atë nga posti i liderit të LSDM. Kryetar i ri u zgjodh Dimitar Kovaçevski. Më pas vijoi edhe dorëheqja nga funksioni i kryeministrit. Përderisa Talat Xhaferi e konstatoi dorëheqjen, opozita duartrokiti dhe Xhaferi nuk mundej t’i qetësojë.
Kovaçevski pas kësaj u bë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re, ndërsa mandatin e mori nga Presidenti Pendarovski.
Vitin 2022 e fillojmë edhe me Qeveri të re, e cila, siç paralajmëroi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, pritet të votohet më 16 janar.
