Mucunski: Nga marsi, linjë ajrore Dubai-Shkup

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi një takim me drejtorin kryesor komercial të kompanisë Flydubai, Hamad Obaidalla, në kuadër të vizitës zyrtare të punës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjatë takimit u konfirmua zyrtarisht se nga muaji mars, kompania Flydubai do të vendosë linjën e drejtpërdrejtë ajrore Dubai–Shkup, me tri fluturime në javë. Mucunski vlerësoi se vendosja e kësaj linje të drejtpërdrejtë paraqet një rezultat konkret të diplomacisë aktive ekonomike dhe përpjekjeve për lidhje më të mira ndërkombëtare.

Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë që linja e drejtpërdrejtë ajrore krijon për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, tërheqjen e investimeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit turistik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve.

Njëkohësisht, u theksua roli i rëndësishëm i Ambasadës në Emiratet e Bashkuara Arabe në realizimin e këtij synimi, përmes punës së përkushtuar dhe të vazhdueshme gjatë periudhës së kaluar.