Vetura tash e 6 vjet qëndron në parkingun e aeroportit në Rio de Janeiro, borxhi arrin në 30 mijë euro

TË FUNDIT

Një automjet Honda Civic ka mbetur i parkuar prej gjashtë vitesh në parkingun e aeroportit të Rio de Janeiro, ndërsa pronari i tij ka grumbulluar një borxh prej rreth 30 mijë eurosh për parkimin, raportoi gazeta franceze Le Figaro.

Makina nuk ka më targa, të katër gomat janë të shfryra, ndërsa është e mbuluar me pluhur dhe ndryshk, duke lënë përshtypjen se është braktisur plotësisht. Pavarësisht borxhit të madh, pronari duket se është zhdukur pa lënë gjurmë.

Për një kohë të gjatë, automjeti ishte një mister, por falë dokumenteve të gjetura brenda tij, autorët e një emisioni brazilian arritën të rindërtojnë historinë e lëvizjes së tij.

Sipas të dhënave, makina ishte regjistruar fillimisht në Nju Jork, më pas ishte transportuar në Brazil. Çelësat ishin lënë në sediljen e përparme, çka sugjeron se pronari e kishte braktisur me nxitim. Një raport policor tregon se në vitin 2019 automjeti ndodhej në Cabo Frio, ndërsa në vitin 2020 u transferua në aeroportin e Rio de Janeiros, ku vazhdon të qëndrojë edhe sot.

Edhe pse detyrimi i papaguar ka arritur në rreth 350 mijë realë brazilianë (afërsisht 30 mijë euro), askush nuk është paraqitur për ta marrë automjetin. Ligji brazilian kërkon që fillimisht të identifikohet pronari përpara se makina të mund të hiqet ose të shitet.

Sipas Le Figaro, edhe pse raste të tilla janë të rralla, automjetet e braktisura në aeroporte nuk janë të pazakonta. Në shumicën e rasteve, ato lihen nga pronarë që janë detyruar të largohen urgjentisht nga vendi, zakonisht për shkak të vështirësive financiare.