Vërshimet lanë pasoja të mëdha në Kërçovë! Në fshatin Drogomisht i Vogël rrezikohet shembja e lagjes

TË FUNDIT

Vërshimet e shkurtit në Kërçovë lanë pasoja të shumta dhe rreziqe për banorët.

Në fshatin Drogomisht i Vogël, nga ato vërshime pësoi edhe kjo lagje, ku është shembur dheu në një masë të madhe.

Shembja e dheut bllokoi rrugën alternative dhe përbën një rrezik të madh për shembjen e tërësishme të shtëpive.

Të panikosur dhe në frikë po qëndrojnë prej gati 3 muajsh banorët e kësaj lagjeje të fshatit.

“Kjo ka ndodhur rreth datës 15 shkurt, kur ishin reshjet e mëdha në Kërçovë dhe ne si bashkësi lokale kemi parashtruar kërkesë për t’u shqyrtuar ky problem më datë 23 shkurt”, tha Vegim Fejza – kryetar i B.L. Drogomisht i Vogël

Banorët thonë se nga Komuna e Kërçovës nuk janë marrë ende masa për sanimin e këtij problemi.

“Deri më sot nuk është marrë asnjë masë në lidhje me këtë problem, kështu që kjo rrëshqitje dheu rrezikon që të shemben edhe dy shtëpi. Ne si Bashkësi Lokale kërkojmë që Komuna të marrë masa që të sanohet ky problem”, u shpreh Vegim Fejza – kryetar i B.L. Drogomisht i Vogël.

Për këtë situatë të krijuar në fshatin Drogomisht i Vogël, ne iu drejtuam Komunës së Kërçovës. Nga atje na thanë se janë të njoftuar me problemin, por çështja është serioze dhe kërkon projektim për sanim.

KOMUNA E KËRÇOVËS:

“Jemi të njoftuar me problemin në fshatin Drogomisht i Vogël. Kemi qenë edhe në vendin e ngjarjes dhe kemi bërë vlerësimin menjëherë pasi ka ndodhur rrëshqitja, por problemi është me rrezikshmëri të lartë dhe kërkon intervenim serioz. Duhet një kompani projektuese dhe një kompani realizuese, sepse sipas vlerësimit do të duhet të vendoset mur mbrojtës. Komuna është në fazën e evaluimit të furnizimit publik për angazhimin e një byroje projektuese, që në afatin sa më të shkurtër të hartojë projektin dhe më pas të angazhohet një kompani ndërtuese për zgjidhjen e atij problemi.”

Në Kërçovë, gjatë sezonit dimëror pati dy valë vërshimesh, të parat në janar dhe të dytat në shkurt të këtij viti, të cilat e goditën fort këtë qytet dhe shumë fshatra përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasoja me rrezikshmëri të lartë për banorët, si ky rast që sapo pamë.