Vendosen kamera për të kapur ndotësit / Komuna e Tearcës po pastron deponitë e egra

TË FUNDIT

Pasi për një kohë të gjatë ishte e mbudhur plot mbeturina, kjo deponi ndërmjet fshatrave Dobrosht dhe Gllogjë ka filluar të pastrohet nga ana e komunës së Tearcës. Tash thonë se janë vendosur kamera dhe se do të ndëshkohen të papërgjegjshmit që hedhin mbeturina.

“Gati disa ditë radhazi makineritë janë në vend ngjarje për të pastruar dhe larguar masën e cila ishte larguar në një kohë relativisht të shkurtë, gjë për të cilën kemi angazhuar edhe personel shtesë për të qenë në vend ngjarje dhe për të sensibilizuar qytetarët të cilët në mënyrë të pa përgjegjshme bën një veprim të tillë dhe për këtë seriozisht në bashkëpunim me të gjitha forumet në të dy vendbanimet do të marrim masat ekstreme dhe ligjore dhe janë vendosur edhe kamera që do të ndjekim gjatë 24 orëve dhe do të fillojnë me sanksionime ligjore ndaj atyre që nuk janë të përgjegjshëm”, tha Nuhi Neziri, kryetar i Komunës së Tearcës.

Metin Muharemi nga platforma “Miqtë e Sharrit” thotë se janë angazhuar për të ngritur vetëdijen që mos të ndotin këtë pjesë të parkut kombëtar, ndrysa tregon se qytetarët ankohen se nuk ka vende të posaçme për hedhjen e mbeturinave.

“Ajo që vërejmë gjatë forumeve pasi që për çdo ditë vërehet problemi i mbeturinave që janë të pa kontrolluara dhe ne si organizim dhe si platformë “Miqtë e Sharrit” kërkojmë ngritjen e vetëdijes së njerëzve që jetojnë në këto rajone, por sërish banorët thonë se nuk kanë vende të posaçme ku mund t’i hedhin këto mbeturina”, tha Muharemi.

Problemi me mbeturinat e ngurta por edhe organike është në shumicën e komunave që shtrihen në Parkun Nacional mali Sharr. Autoritetet e parkut kombëtar shpesh kanë bërë apel tek komunat që të bëjnë grumbullimin e mbeturinave në vendbanimet që janë në Sharr, por komunat pretendojnë se çështja e deponive është problem i Parkut Kombëtar dhe jo i tyri.