Punimet në stadiumin e Tetovës po vazhdojnë. Ndonëse Qeveria e Maqedonisë së Veriut në krye me Talat Xhaferin në mbledhjen e saj të 22-të para një jave mori vendim që punimet në stadiumin e Tetovës të ndërpriten, megjithatë komuna ka vendosur të mos respektoj këtë vendim të sic e quajnë Qeveri në ikje.
“Në Kabinet ka arritur vendimi i Qeverisë për ndërprerjen e punimeve te stadiumi, por pa marr parasysh vendimit do të vazhdojnë punimet për rikonstruimin e stadiumit të qytetit, sepse nuk respektojmë vendimin e kësaj Qeverie të korruptuar e cila është në ikje. Kjo qeveri edhe kur ishte në pushtetin lokal edhe tani që e ka pas për gati 16 vite i ka sjell vetëm dëm qytetit të Tetovës dhe asnjëherë nuk kanë parë hajr qytetarët e Tetovës nga kjo qeveri në ikje”, tha Besar Durmishi – kryetar i Këshillit Komunal.
Qeveria më herët informoi se ka kërkuar mendim nga Gjykata Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin e Tetovës, i cili me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës.
“Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e Stadiumit të Ri të Futbollit – Tetovë, PK nr. 11476. Në ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe Këshilli i Komunës së Tetovës me 15 mars 2023 solli vendim me të cilin jep garanci për realizimin e këtij projekti, i cili menaxhohet nga ana e NP ‘Tetova Transport Tetovë’, se nëse gjatë realizimit paraqiten rreziqe financiare të cilat nuk mund t’i mbulojë NP ‘Tetova Transport’, në rast të tillë Komuna e Tetovës do t’i marrë obligimet të cilat burojnë nga marrëveshja e nënshkruar.
Aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumit të qytetit filluan me 12 prill 2024 dhe planifikohet të ndërtohet për tre vjet.
