Vazhdojnë akuzat mes Salit dhe Mexhitit, MSH po mendon për të ngritur procedurë kundër ish ministrit të Alternativës

TË FUNDIT

Vazhdojnë akuzat mes ish ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali dhe ministrit aktual të shëndetësisë Fatmir Mexhiti.Sali për spitalin modular të Tetovës kërkon përgjegjësi nga Mexhiti.Mohon të ketë bërë pagesë për firmën “Brako” për shkak të procedurave hetimore aktuale nga prokuroria dhe konstatimit të parregullsive nga revizioni i brendshëm. Revizioni ishte gati disa javë para shkarkimit tim, ndërsa epilogu gjyqësor erdhi gjatë kohës sa është ministër Fatmir Mexhiti, thekson Sali.

 “Shqetësimi i opinionit nuk është në atë që kërkon Mexhiti, por në vendimin e tij për të vazhduar pagesën ndaj kompanisë së përmendur, pavarësisht vijave të kuqe. A do të mund të përgjigjet publikisht Mexhiti se si duke e pasur përpara vetes raportin e revizionit, që dëshmon për parregullsitë dhe procesin gjyqësor që po vijon, ai ka arritur të motivohet për të kërkuar pagesë për atë firmë pa u sqaruar këto rrethana?!”, tha Beskim Sali, ish ministër i Shëndetëisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrisë së Shëndetësisë të  cilët thonë të kundërtën. Ata pohojnë se nga analiza e dokumenteve të brendshme, është e qartë se Sali nuk ka ndërprerë kurrë kontratën, ka marrë dhe miratuar ambulantët, të cilat miratuan automatikisht pagesën, dhe më pas vendosi të mos paguajë, duke gjeneruar kështu një borxh dhe interes prej 200,000 euro për qytetarët. Ministria po analizon mundësitë ligjore për të ngritur procedurë kundër Salit për këtë rast.

 “Bekim Sali ka frikë të thotë se kush është kompania që ka ndërtuar ambulantët modulare? Gjegjësisht, sipas dokumenteve në Ministrinë e Shëndetësisë, gënjeshtër e plotë është ajo që Sali tha në konferencën për shtyp në të cilën pretendoi se ai ndërpreu kontratën me kontraktuesin. Përkundrazi, Sali jo vetëm që nuk ndërpreu kontratën, por mori ambulantët duke miratuar praktikisht pagesën e tyre”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se  të gjitha dokumentet që janë dorëzuar deri më tani, i dorëzojnë edhe një herë në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Ministrinë e Brendshme. Nga atje thonë se  deri më tani nuk është paguar asnjë qindarkë për spitalet modulare dhe procedura për zgjidhjen e këtij rasti është në Qeveri, siç janë mendimet e prokurorisë, auditimi i brendshëm dhe të gjitha dokumentet mbështetëse. Këto komente dhe deklarata vijnë pas konferencës së djeshme të ish ministrit Bekim Sali i cili hodhi një mal me akuza në adresë të ministrisë së Shëndetësisë me të cilën ka udhëhequr edhe vetë mbi 8 muaj.