Po vazhdon lufta me zjarrin mbi fshatin Budinarcë të Pehçevës. Kështu duket situata vetëm disa kilometra nga zona ku digjet mali.
“Vatra e zjarrit mbi fshatin Budinarcë të Pehçevës vazhdon të jetë aktive, ndonëse autoritetet thonë se është e lokalizuar, kjo vatër zjarri paraqet një nga zjarret më të rrezikshme në territorin tonë”, raporton gazetarja Almedina Ismajli.
Ndërkaq poshtë në fshat situata është e qetë, por ekziston frikë e madhe mes fshatarëve se zjarri mund të përhapet deri në shtëpitë e tyre.
“Kush mundet shkon ta shuajë zjarrin. Unë nuk mundem. Burrat munden, ata po shkojnë.
–A keni frikë?
Shumë kam frikë se mos digjet edhe fshati”.
“Po digjet tashmë një javë nga Dellçeva e këndej. Banorët po shkojnë të ndihmojnë, por tani sërish është ndezur. Faleminderit atyre nga Austria dhe Sllovenia që na ndihmojnë, por edhe fshatarët tanë janë të mirë. Po ndihmojnë të gjithë”.
Luftës kundër zjarrit në këtë zonë i janë bashkangjitur 160 pjesëtarë nga Brigada zjarrfikëse e Austrisë, na tha Komandanti i tyre. Ekipet austriake për ndihmë për shuarjen e zjarrit u vizituan nga Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir i shoqëruar nga ambasadori i Austrisë, ushtrueses së detyrës së ambasadorit të Sllovenisë dhe Rumanisë, nga Oficeri për Lidhje i BE-së, Radi Hifnavi dhe drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Bekim Maksuti.
“Jam thellësisht i impresionuar nga angazhimi dhe përkushtimi i ekipeve të ndryshme, nga Austria, Bullgaria dhe Sllovenia, por edhe nga profesionalizmi dhe përkushtimi i komunitetit dhe shërbimeve lokale. Ata po na informojnë për situatën dhe ne jemi këtu vetëm për të dëgjuar atë që ata na thonë, por edhe për të shprehur falënderimin e BE-së për kontributin që ata kanë dhënë”, tha David Gir.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti thotë se kushtet klimatike i pengojnë që të kenë sukses të vazhdueshëm për shuarjen e zjarreve. Shprehet se po mundohen me të gjitha forcat që kanë, me të gjitha kapacitetet të pjesëtarëve të Ekipeve të drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim, ekipeve që janë të angazhuar me kontratë tek kjo drejtori, zjarrfikësit, punonjësit e pyjeve dhe të pushtetit lokal që të përballen në mënyrën më të mirë të mundshme.
