Ushtria ukrainase: Rusia ka sulmuar civilët gjatë evakuimit nga Mariupoli

TË FUNDIT

Përveç bombardimit të një teatri, që përdorej për strehimin e civilëve, nga Mariupoli raportohet se ka ndodhur edhe një sulm tjetër ndaj civilëve.

Në një incident të ndarë, forcat e armatosura ukrainase, thanë se një konvoj me civilë që po tentonin të evakuoheshin nga qyteti i rrethuar, u sulmua me raketa nga forcat ruse.

Ushtria ukrainase tha përmes Facebook-ut se civilët ishin duke u larguar për në qytetin Zaporizhja, që gjendet mbi 200 kilometra larg Mariupolit.

Ushtria tha se sipas raportimeve të para ka viktima në mesin e civilëve, por nuk dha më shumë detaje.

Ndërkaq, Qeveria lokale në Zaporizhja tha se të paktën pesë persona janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë që është në gjendje të rëndë shëndetësore.