Kanadaja kërkon afrim të ri me Evropën, në tavolinë edhe “anëtarësimi i asociuar” në BE

TË FUNDIT

Kanadaja po shqyrton forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian, pas tensioneve të shtuara në marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri kanadez Mark Carney po shqyrton mundësinë e krijimit të një statusi të ri si “anëtar i asociuar” i BE-së, pa anëtarësim të plotë në Union.

Ideja, e cila po diskutohet mes zyrtarëve kanadezë dhe evropianë, do të synonte krijimin e një hapësire më të integruar ekonomike mes Kanadasë dhe Evropës.

Bashkëpunimi mund të përfshijë qarkullim më të lehtë të mallrave, shërbimeve dhe punonjësve, si dhe projekte në energji, inteligjencë artificiale, mbrojtje dhe minerale kritike.

Carney prej muajsh ka kërkuar marrëdhënie më të afërta me Evropën, ndërsa Otava synon të ulë varësinë ekonomike nga SHBA-ja pas përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve tregtare me administratën e Donald Trumpit.

Kanadaja dhe BE-ja tashmë kanë marrëveshjen tregtare CETA, e cila aktualisht zbatohet përkohësisht, por nuk është ratifikuar ende nga të gjitha vendet anëtare.

Në javët e ardhshme priten takime të reja të Carneyt me zyrtarë evropianë, ndërsa Kanadaja synon të zgjerojë partneritetet ekonomike pa shkëputur lidhjet me tregun amerikan.