Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme sot ka dalë me një sërë kritika për mënyrën se si në Maqedoninë e Veriut është realizuar mësimi në distancë. Ata hedhin dyshime në realizimin autentik të mësimit, për shkak se shumica e aparaturave që përdoren janë donacion i kompanive private, ndërkaq thonë se janë kundër edhe testimit online. Sipas tyre, mësimi në distancë është edhe diskriminues.
“Situata është larg nga idealja. Përderisa institucionet arsimore private vetëm se kishin në përdorim platforma online për të dhënë kurse mësimore para krizës, në institucione publike të arsimit të mesëm këto forma nuk përdoreshin ose jo në të njëjtën masë. Mbylljet e shkollat janë duke e thelluar pabarazinë dhe do të lenë pasoja afatgjate. Më të prekur janë ata që jetojnë në vende rurale dhe që janë me nevoja të veçanta”, tha Blendi Hodai, raporton TV21.
