Faqja zyrtare e La Ligës ka bërë publike emrat e kandidatëve për çmimin e futbollistit më të mirë të sezonit 2025/26, ndërsa në mesin e tyre gjendet edhe Vedat Muriqi.
Sulmuesi i Mallorcas po vazhdon të shkëlqejë në futbollin spanjoll, duke arritur një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij. Futbollisti nga Prizreni e përfundoi sezonin si golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat me 23 gola, vetëm dy më pak se ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe.
Përveç golave, reprezentuesi i Kosovës regjistroi edhe një asistim gjatë edicionit.
Muriqi po ashtu është në garë për t’u përfshirë në formacionin më të mirë të sezonit në elitën e futbollit spanjoll.
Megjithatë, paraqitjet e tij të mira nuk arritën ta shpëtonin Mallorcan nga rënia nga liga. Klubi spanjoll sezonin e ardhshëm do të luajë në kategorinë e dytë.
Në listën e kandidatëve për çmimin kryesor janë edhe Lamine Yamal i Barcelonës, Pablo Fornals i Real Betisit dhe Nicolas Pepe i Villarrealit.
