Një valë ekstreme të nxehti ka përfshirë Europën Perëndimore në fillim të kësaj jave, ndërsa fenomeni i njohur si “kupola e nxehtësisë” po sjell temperatura rekord për muajin maj. Më të goditura pritet të jenë Spanja dhe Portugalia, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, ndërsa në jug të Spanjës parashikohen deri në 38°C.
Edhe Franca po përballet me temperatura të pazakonta. Shërbimi meteorologjik francez ka paralajmëruar një valë të hershme dhe të zgjatur të nxehti, me temperatura deri në 12 gradë mbi mesataren sezonale. Në qytete si Nantes priten deri në 35°C, duke thyer rekorde historike për muajin maj. Në Paris, një person humbi jetën gjatë një gare vrapimi, ndërsa mjekët thanë se temperaturat e larta ndikuan në gjendjen e tij.
Temperatura të larta janë paralajmëruar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku termometri mund të arrijë deri në 35°C gjatë javës, ndërsa Belgjika pritet të shënojë deri në 31°C.
Meteorologët thonë se kjo situatë është shkaktuar nga ajri i nxehtë që vjen nga Afrika Veriore dhe bllokohet mbi Europën Perëndimore nga një sistem me presion të lartë atmosferik. Autoritetet paralajmërojnë se valë të tilla të nxehti po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike.
