Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë të hënën se janë 220 vdekje të dyshuara nga shpërthimi aktual i Ebolës, dhe se vonesa në zbulimin e rasteve do të thotë që punonjësit “po e humbasin ritmin”.
Tedros ka thënë se ndonëse “po i shtojnë operacionet, epidemia po ua kalon”, duke shtuar se vendet që kufizohen me Republikën Demokratike të Kongos, që është epiqendra e shpërthimit, duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme.
Më herët të hënën, Uganda ka raportuar dy raste të tjera me Ebolën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në shtatë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur shpërthimin e llojit të rrallë Bundibugyo të Ebolës një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.
Tedros ka tjënë se do të udhëtonte për në Kongo të martën dhe se adresimi i shpërthimit me shpejtësi ishte i komplikuar nga fakti se provincat Ituri dhe Kivu Veriore të Kongos ishin shumë të pasigurta dhe po ashtu sepse nuk ka vaksina të miratuara për virusin Bundibugyo.
