Ukrainë, Rusia bombardon edhe qytetin Lviv! Në Kiev goditen objekte civile, shumica prej tyre janë ndërtesa banimi

TË FUNDIT


Forcat ruse kryen sulme dhe granatime të reja në periferi të kryeqytetit Kiev dhe qytetin perëndimor Llavov afër Polonisë. Sulmet raketore në periferi të Llavovit ishin goditja më e afërt deri te qendra e qytetit, i cili u shndërrua në udhëkryq për njerëzit që ikin nga pjesët e tjera të Ukrainës dhe njerëzit që hyjnë për të ndihmuar apo për të luftuar, transmeton TV21.

“Sot ishte kryer një sulm mbi Llavovin. Alarmi kundërajror reagoi, forcat e armatosura (faleminderit shumë) reaguan. Ishin rrëzuar disa raketa të lansuara nga Deti i Zi. Siç e dini, katër prej tyre goditën një fabrikë për riparim të aeroplanëve”, tha Maksim Kozicki, guvernator rajonal i Llavovit.

Në ndërkohë, liderët botërorë angazhohen që të nisë një hetim për sulmet e reja mbi caqet civile, duke përfshirë shkolla, spitale dhe objekte banimi.

“Kjo është një çmenduri. Është një objekt për fëmijë të moshës parashkollore. E shihni sa është dëmtuar objekti për fëmijë të moshës parashkollore. I falënderoj Zotit që askush nuk ishte brenda çerdhes dhe shkollës. 6 ndërtesa ishin dëmtuar dhe askush nuk mund të jetojë më në to. Tani duhet të presim njerëz. Por, ja edhe një fakt – lufta është kundër civilëve. Këtu nuk shoh ushtarë, kjo nuk është asnjë bazë ushtarake, por këtu ka vetëm banesa, banesa civile”, tha Vitalij Kliçko, kryetar i Kievit.

Rusët vazhdojnë të pohojnë se bëhet fjalë për një operacion special dhe se avancojnë në drejtim të realizimit të qëllimit të tyre.

“Në Mariupoll, njësitë e Republikës Popullore të Donjeckut të mbështetura nga forcat e armatosura ruse, e ngushtojnë rrethin dhe luftojnë kundër nacionalistëve në qendrën e qytetit”, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.

Deri më tani, siç bëjnë me dije autoritetet lokale, Mariupolin e kanë braktisur rreth 30.000 civilë. Kuvendi i Qytetit të Mariupolit, kumtoi se “janë shkatërruar 80% e banesave”, kurse rreth 350.000 banorë po qëndrojnë në strehimoret dhe bodrumet e tyre.
Afër 130 njerëz janë shpëtuar nga bodrumi i teatrit i cili ishte goditur nga sulmet ajrore ruse në qytetin jugor Mariupoll, njoftuan zyrtarët. Qindra persona fshiheshin në këtë teatër, i cili shërbente si strehimore për civilët e shpërngulur. Serhi Taruta, ish-shef i rajonit të Donjeckut, tha se përpjekjet për shpëtim janë penguar për shkak të mosfunksionimit të shërbimeve sociale dhe frikës se sulmet ruse mund të përsëriten./TV21