Ukraina në terr, Rusia vijon të godasë infrastrukturën

TË FUNDIT

Rusia vazhdon të sulmojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke dëmtuar furnizimin me elektricitet.

Depot e karburantit në Kherson janë një nga shembujt më të fundit. Por pavarësisht vështirësive, morali i ukrainasve mbetet i lartë, sidomos pas mbërritjes së trenit të parë në Kharkiv, gjë që tregon me fakte rikuperimin e qytetit.

Sidoqoftë, mungesa e energjisë, që zgjat për orë të tëra, është shtrirë në gjithë territorin. Drejtori ekzekutiv i kompanisë më të madhe private energjetike, DTEK, ka këshilluar qytetarët që mund të lënë vendin ta bëjnë këtë në mënyrë që të kursehet sa më shumë energji.

Ndërkohë, në fjalimin e përditshëm, presidenti Volodymyr Zelensky falënderoi kryeministrin britanik, Rishi Sunak, për asistencën që i ka premtuar Ukrainës.

Londra zyrtare do të kontribuojë për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit, që është thelbësore në parandalimin e sulmeve ruse që vënë në shënjestër infrastrukturën jetike të shtetit ukrainas.