U ndanë, por përsëri u bashkuan! Besa e Alternativa nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

TË FUNDIT

 “E kanë kërcënuar sigurimin. Këtë djalin këtu. E kanë thyer derën këtu, e kanë thyer derën e prapme, zoti Bilalli me njerëzit e tij, pastaj kanë hyrë brenda”, deklaronte Nexhmedin Rramani, përgjegjës për sigurimin e selisë.

 “Nuk kam përdorur dhunë, dhe nuk do të përdorë. Spinët dhe spekulimet që i bëjnë të tjerët, ju qoftë për hajër”, deklaronte Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Me thyerje e demolim të selisë u ndanë në vitin 2018. E sot pas 5 vitesh me shtrëngim duarsh e me fotografi të përbashkëta të publikuara në rrjetet sociale e bën të ditur bashkëpunimin e tyre.

 “Arsyeja është shumë e thjeshtë është kërkesë e qytetarëve. Qytetarët janë të lodhur me 20 vite pushtet të dështuar të BDI-së dhe kërkojnë një zgjidhje dhe ne treguam se si parti politike dhe përkundër keqkuptimeve që mund të kemi pasur në të kaluarën nëse është në pyetje interesi qytetarëve ne tejkalojmë vetveten”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Nga Alternativa në kumtesën për media thanë se arsyeja e këtij bashkëpunimi është artikulimi i zërit opozitar shqiptar në vend, mbrojtja e interesave strategjike integruese të vendit,  atyre etnike shqiptare dhe qytetarëve tjerë  në përgjithësi.

“Duke qenë në një kapërcyell të rëndësishëm, kur procesi integrues po ngec, kur korrupsioni politik është bërë suksesi i vetëm i këtij pushteti, ndërsa të drejtat etnike shqiptare përsëri vihen në peshore të disfavorshme, momenti historik imponon që të gjitha forcat politike shqiptare, por jo vetëm politike, të bashkëpunojmë për ta deligjitimuar këtë qeverisje të korruptuar, të paaftë dhe të dëmshme për interesat e vendit dhe të shqiptarëve”, thonë nga Alternativa.

Kasami tha se janë në komunikim të afërt edhe me grupe të tjera të pakënaqur që janë nga BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe subjekte tjera politike .