Tetova votoi për këshilltarë komunal! Cila parti do të arrijë të krijojë shumicë?

TË FUNDIT

Partitë politike po matin forcën në Tetovë se kush do të sigurojë shumicë në Këshillin komunal të Tetovës. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, pas votimit tha se pret që qytetarët të kenë votuar një Këshill i cili do të miratoj projekte dhe programe për të mirë e përgjithshme të Tetovës.

 “Një përfaqësues i cili do të jetë zëri i tyre për të realizuar projekte zhvillimore për Tetovën. Për një Tetovë të cilën të gjithë e duam, për një Tetovë e cila do të ju krijojë mundësi të gjithë qytetarëve të saj pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe politike dhe për këtë angazhohemi ne”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Bartësi i listës së këshilltarëve të Lëvizjes Besa, tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme për Tetovën.

 “Këshilli komunal është një organ tepër i veçantë dhe i rëndësishëm për komunën e Tetovës sepse të gjitha problemet që i ka qyteti zgjidhen nëpërmjet Këshillit”, tha Besar Durmishi, bartës i listës së këshilltarëve të Lëvizjes Besa.

Për Faton Ahmetin nga BDI, dita e sotme është festë.

 “Me votën e tyre kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në kuadër të Këshillit komunal, përfaqësues të cilët do të jetën në shërbim të qytetarëve për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të ideuar, për të krijuar dhe buxhetor projekte të cilët do të kenë për qëllim një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Tetovës”, pohoi Faton Ameti, bartës i listës së këshilltarëve të BDI-së.

Zgjedhjet e sotshme bartësi i listës së këshilltarëve të PDSH-së i sheh si rezultat i paaftësisë së kryetarit aktual Kasami.

 “Shpresojmë se qytetarët do ta bëjnë ndryshimin dhe do të na votojnë neve. Pasi që nga kryetari aktual i kishim këto zgjedhje të parakohshme dhe ne nuk do të tolerojmë që të ndodhë përsëri e njëjte. Gjithashtu ne do të jemi zëri i qytetarëve në Këshillin e Tetovës ku edhe do të jemi organi korrigjues i kryetarit të komunës së Tetovës”, pohoi Visar Palloshi, bartës i listës së këshilltarëve të PDSH-së.

Nga ASh-ja thonë se sot është dita kur vendoset për të ardhmen e Tetovës dhe për të ardhmen e rinisë.

 “Sot është një ditë e bukur për komunën e Tetovës dhe jo vetëm. Uroi që kjo ditë të kalojë në frymë demokratike dhe e qetë”, tha Abdulla Osmani, bartës i listës së këshilltarëve të ASH-së.

Elmedina Abdullahi nga “Më e mira për Tetovën” theksoi se është e rëndësishme që sot të qytetarët të kenë votuar me bindjen e tyre.

 “Është shumë me rëndësi që ata të jenë vendimtar për mënyrën se si do të funksionojë Këshilli dhe komuna në vitet në vijim. Është shumë me rëndësi vota e tyre, por është edhe shumë me rëndësi vota e tyre të jenë në bazë të vullnetit dhe bindjes së tyre“, theksoi Elmedina Abdullahi, bartës i listës së pavarur të MMPT.

Nga Alternativa thonë se dita e sotme është ditë për të dënuar politikat e gabuara të zbatuara deri më tani.

 “Të shprehim mendimin e tyre lirshëm për pëbërjen e re të Këshillit komunal të Tetovës dhe njëkohësisht të dënojnë politikat e deritanishme të gabuara që janë udhëhequr për Tetovën tonë, si dhe ka mundësi që me votën e tyre t’i japin kahje të re politikave të reja, të japin alternativa të reja Tetovës për të mirën e gjithë qytetarëve”, pohoi Faton Selami, bartës i listës së këshilltarëve të Alternativës.

Në komunën e Tetovës u votua për anëtarë të Këshilli komunal, ndërsa të drejtë vote kanë 84.072 qytetarë.