Tejkalohet pengesa e fundit ligjore! Bechtel-Enka do ta ndërtojë Korridorin 8 dhe 10

TË FUNDIT

Tejkalohet edhe pengesa e fundit ligjore në Gjykatën Kushtetuese për Korridorin 8 dhe 10. Me buzëqeshje lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, duke shtuar se tani do të negociohet për kontratën e ndërtimit me kompaninë Bechtel – Enka.

“Sipas parashikimeve të Bechtelit autostrada është ndarë në tre seksione, e para është Gostivar – Kërçovë, domethënë autostradë mbi Strazhë, ajo është seksioni parë, seksioni i dytë është Tetovë – Gostivar, zgjerohet me nga një korsi në të dyja anët dhe me rrugë anësore dhe seksioni i tretë është Trebenishtë – Qafë Thanë. Dy seksionet e para Strazha dhe Tetovë- Gostivar duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2024, ndërsa Trebenishtë – Qafë Thanë deri në vitin 2025, kur do të duhet të rrumbullaksohet edhe rruga Bllacë deri në qarkore, në mënyrë që të krijohet kjo unazë për të cilën po flasim“, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.

Ky është nja lajm shumë i mirë si për qytetarët ashtu edhe për bizneset tha kryetari i OEMVP Nebi Hoxha.

 “Nga ky investim do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sipërmarrësit e vendit si dhe do të kemi zhvillim ekonomik të mirëpritur dhe rritje të investimeve në vendin tonë. Është një autostradë e cila do krijojë qarkullim më të madh dhe lidhje më të shpejtë me vendet e rajonit, një gjë që është krijuar ndër vite dhe do të ndikojë shumë në zhvillimin e gjithë rajonit, Ballkanit Perëndimor dhe do të jemi më afër BE-së“, pohoi Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP.

Ndonëse  Antikorrupsioni vendimin për Ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10 e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se kompania ishte përzgjedhur pa tender, Kushtetuesja nuk e mori parasysh.

Ndryshe korridori 8 është një aks komunikacioni që duhet të përfshijë lidhjen mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Shqipërisë.