Të vjetra, por ende prodhojnë rrymë! Termocentralet e vendit vazhdimisht me defekte

TË FUNDIT

Edhe pse shumica të vjetra dhe me makineri që nga koha e Jugosllavisë, të gjitha termocentralet e vendit së fundmi janë vënë 100% në funksion! Shpesh u ndodh që të kenë defekte të ndryshme, për shkak të vjetërisë, megjithatë po prodhojnë rrymë. Në TEC Manastir është lëshuar në përdorim edhe Blloku 3. Me pajisje shumë të vjetër punon edhe TEC “Osllome”, e vjetër 42 vjet, ndërsa punëtorët punojnë me kushte të vështira, duke u kujdesur që gypat me ujë ta mbajnë temperaturën konstante aty ku prodhohet rryma.

“Osllomeja është termocentrali ynë më i vjetër në shtet e lëshuar në përdorim para 42 vjetësh, nëse merrni të hulumtoni do të kuptoni se prodhuesi i makinerisë që është firmë polake ka dhënë afat 35 vjet, d.m.th. “Osllomeja” nëse shkojmë në bazë të së drejtës duhej që para 7 vitesh të mbyllej dhe mbi 1000 njerëz në Kërçovë të ishin rrugëve”- deklaroi Vasko Kovaçevski, drejtori i EMV-së.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski lëvdohet se po e mbajnë premtimin e dhënë në fillim të krizës energjetike që nuk do të ketë mungesë energjie elektrike dhe nuk do të ketë rritje enorme të çmimeve të energjisë sidomos për amvisëritë.

“TEC “Manastiri” punon me kapacitet të plotë me të tre blloqet, montimi i transformatorit të ri që e përpunoi kompania turke përfundoi me sukses dhe është lëshuar në përdorim edhe blloku 3 i TEC “Manastirit” që tanimë po prodhon energji elektrike, kjo është një e arritur e madhe për prodhimin vendor të energjisë elektrike, ashtu siç premtuar në fillim të krizës energjetike të gjithë u fokusuam që të prodhojmë sa më shumë energji elektrike vendore që t’i mbrojmë qytetarët dhe kompanitë nga çmimet e larta”- pohoi Dimitar Kovacevski, Kryeministër.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se për herë të parë në Maqedoni po ndodh që të gjitha kapacitet e prodhimit të energjisë elektrike të jenë në funksion.

“Ka politikan të cilët janë inxhinier dhe elektroinxhinier që kanë udhëhequr dhe nuk kanë arritur ta bëjnë këtë, ndërsa ky grup ka arritur ta bëjë. Të gjithë ata ekspertë, të gjithë ata politikanë që flisnin para një viti se nuk ka shans të vendosen në funksion të gjitha kapacitet e shtetit, nuk ka shanse të mos ketë rritje me pak se 50% të çmimit të energjisë elektrike, sot të gjitha bien në ujë”- Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Përndryshe në vitin 2022 prodhimi i energjisë elektrike është rritur për 25.5%, ndërsa për vitin 2023 Kovaçeveski paralajmëroi rritje të edhe 20% të prodhimit të energjisë elektrike.