Gjatë fushatës së saj zgjedhore, Kryetarja e Qytetit të Shkupit premtoi që transporti publik në Shkup do bëhet falas. Mirëpo edhe pse kaluan 2 vite ende qytetarët paguajnë. Përveç kësaj shoferët të cilët punojnë në NQP më tepër se një muaj nuk kanë rroga. Ata madje paralajmërojnë protesta. Kur u pyet për këtë Arsovska u shpreh se problemi qëndron tek ata që nuk i kryejnë detyrat.
“Me pengesë nga të gjitha institucionet e shtetit, që 30 vite e shkatërruan këtë shtet, ne nuk mund ta ndërtojmë as qytet cilësor, as shtet cilësor. Secili duhet të kryej detyrat dhe te mbaj përgjegjësinë e tij, dhe kjo do të thotë që nëse dikush ka 2 milionë euro borxh, të mos pyesë se si do ketë transport publik falas por të paguajë faturat. E njëjta gjë vlen edhe për njësitë e qeverisjes qendrore dhe ato vendore që nuk i përmbushin detyrat e tyre.”, pohoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Përveç kësaj Arsovska paralajmëroi masa më radikale.
“Do t’i parkojmë autobusët e NQP para Qeverisë dhe do i vendosim para të gjitha institucioneve të cilët i sabotojnë proceset, që ta mundësojmë transportin publik falas për qytetarët.”, shtoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Nga ana tjetër Qeveria mohon se i ka borxh NQP-së si dhe iu bën thirrje komunave që të menaxhojnë buxhetet dhe të mos mbesin borxh te NQP.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut refuzon akuzat për çfarëdo borxhi ndaj NQP – Shkup, siç akuzon menaxhmenti i kësaj ndërmarrje publike dhe paralajmëron se do të protestojë. Njëkohësisht, kjo gjendje në të cilën ndodhet NQP është tregues se komunat në mënyrë të papërgjegjshme i menaxhojnë mjetet e destinuara për transportin e nxënësve dhe nuk i shlyejnë obligimet në kohën e duhur.”, mohojnë nga Qeveria.
Ndryshe Danella Arsovska tha se do ta mbaj premtimin e saj dhe se në vitin 2023 do të lëshojë transport publik falas për qytetarët.
