Të punësuarit në NQP morën paga/ Transporti publik funksionon normalisht

TË FUNDIT

Sapo morën vesh se pagat u janë transferuar në llogaritë e tyre bankare, filluan t’i tërhiqnin autobusët e parkuar para qeverisë. Shoferët nuk deshën të flasin para kamerave, por pohuan se kanë pranuar rrogat e muajit shtator.Nga Sindikata e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik thotë se janë siguruar pagat e punëtorëve për deri në fund të vitit.

“Pagat janë transferuar në llogaritë e punonjësve, vazhdojmë të funksionojmë normalisht. Pagat janë siguruar për muajt në vijim, ndërsa me miratimin e buxhetit për vitin 2023, do të pasurohet buxheti i ndërmarrjes publike për disa milionë euro”- deklaroi Miqo Stojanovski, kryetar i sindikatës në NQP.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se Ministria e Arsimit dhe disa komuna të Shkupit i kanë borxh ndërmarrjes 2 milionë euro për transportin e nxënësve dhe studentëve. Por nga ana tjetër edhe vetë ndërmarrja për vit ka akumuluar një borxh prej miliona eurove.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, prej shtatorit të 2018 deri në shtatorin e vitit 2022, NQP ka akumuluar një borxh të pashlyer nga 550 mijë eurove deri në 4.8 milion euro. Por kujt i ka borxh kaq shumë kjo ndërmarrje, përgjigje nga Qyteti i Shkupit nuk morëm. Ndërkaq Arsovska, dje para mediave tha se ky borxh ka një dekadë që akumulohet.

“Do të kërkohet përgjegjësi adekuate, jo vetëm për këto që kanë ndodhur viteve të kaluara në NQP, gjendjen e rëndë financiare në të cilën është sjell kjo ndërmarrje, borxhet multimilioneshe që ka gjeneruar, janë borxhe që për më shumë se një dekadë tërhiqen deri këtu”- deklaroi Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Me Qytetin e Shkupit, para Arsovskës, ka udhëhequr Petre Shilegov nga LSDM në vitet 2017-2021, ndërsa drejtor në Ndërmarrjen për Qarkullim Publik ka qenë Kristijan Çushkov. Para Shilegovit, me Qytetin ka udhëhequr VMRO-DPMNE me Koce Trajanovski prej 2009-2017. Nga viti 2015- 2017 drejtor në NQP ka qenë Igor Janushev nga VMRO-DPMNE, ndërsa para tij ka qenë Misho Nikollov.