Të gjithë në Ohër, por të dielën asgjë nuk punon. Tregtarët ankohen, ministri Bekteshi kërkon zgjidhje përmes Kuvendit

TË FUNDIT

Me rritjen e temperaturave turistët kanë vërshuar Ohrin dhe Strugën, ndërsa gjatë vikendeve fluksi është edhe më i lartë. Por në ditën e diel bizneset janë të mbyllura për shkak të ligjit të ri “E diela ditë jo punë”. Tregtarët kërkojnë që ligji të ndryshohet dhe të punojnë edhe të dielën sidomos tani gjatë sezonit verorë.

“Shpresojmë që sa më shpejtë të ketë një zgjidhje dhe të miratohet ligji, sepse siç e shihni sezoni turistik është duke u mbushur dhe ka filluar, ne deri më tani kemi qenë të mbyllur dhe shpresojmë se nga java e ardhshme do të mund të jemi të hapur “ , tha një tregtar.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot vizitoi Ohrin dhe Strugën, ndërsa i informoi tregtarët dhe afaristët se tashmë i ka propozuar Kuvendit ndryshime në Ligjin për tregti, me të cilat lejohet puna të dielave dhe gjatë festave në vendet turistike.

“Kemi dorëzuar në kuvend ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tregti, që të ndryshohen dispozitat e ligjit ‘E diela ditë jo pune’, ku në vendet turistike duke përfshirë edhe Ohrin dhe Strugën, do t’ju mundësohet të punojnë edhe ditën e diel në trageti të madhe dhe të vogël, me qëllim që të kenë mundësi më të madhe në rritjen e aktivitetit ekonomik”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bekteshi tha se punëtorët që do të punojnë të dielave do të kenë mëditje më të larta për 100 për qind, ndërsa pjesa tjetër në aktivitetet e përcaktuara në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës do të marrin mëditje më të larta për 50%. Por tregtarët thonë se punëtorët çdo herë kanë pasur ditë të lirë dhe se kjo nuk ka qenë asnjëherë problem.

“Asnjëherë nuk kanë qenë në pyetje mëditjet shtesë ose ditët e lira, por edhe para asaj punëtorët kishin ditë të lirë dhe paguheshin për festa, ajo asnjëherë nuk ka qenë në pyetje”, tregtar.

Bekteshi bëri me dije se me ribalancin e buxhetit janë paraparë 15 milionë denarë për të vazhduar me masën për vauçerë turistik për punëtorët me të ardhura të ulëta. Sipas mjeteve të planifikuara, projeksionet janë që do të sigurohen vauçerë për 1500 deri në 2000 familje.