Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Ivo Vajgëll takoi sot edhe zëvendëskryeministrin për integrime evropiane, Fatmir Besimi.
Eurodeputeti Vajgëll shprehu gatishmërinë për të kontribuar për procesin e reformave në Maqedoni, por theksoi nevojën për implementimin e plotë të marrëveshjes politike të 2 qershorit.
Zëvendëskryeministri Besimi deklaroi se do të vazhdojë bashkëpunimi me Parlamentin Evropian sipas tempos dhe dinamikës së deritanishme dhe se integrimet evroatlantike mbeten prioritete strategjike.
Sipas tij, Qeveria po vazhdon të punojë në zbatimin e reformave të nevojshme dhe masave juridike dhe institucionale për afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Edhe zëvendëskryeministri për integrime evropiane kërkoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për të përballuar krizën me refugjatë.
