Dogana e Kroacisë ka parandaluar tentativën për futjen e paligjshme të 43 orëve të dorës, në një automjet me targa kroate, të drejtuar nga një shtetas i Kosovës me leje qëndrimi në Kroaci, përcjell TV21. Ngjarja ka ndodhur më 7 gusht 2026, në pikën doganore kufitare “Karasovići”, gjatë kontrolleve të shtuara në trafikun e udhëtarëve në hyrje të territorit doganor të Bashkimit Evropian.
Gjatë kontrollit të automjetit, në një valixhe në sediljen e pasme u gjetën 43 orë të dorës të markave të ndryshme, të cilat nuk ishin deklaruar në doganë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kroacisë, ndaj drejtuesit të automjetit është lëshuar urdhër kundërvajtës dhe i është shqiptuar gjobë prej 6 mijë eurosh, ndërsa është marrë edhe masa mbrojtëse për konfiskimin e mallrave.
“Për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se në mallrat në fjalë janë vendosur në mënyrë të paautorizuar shenjat e markave tregtare të mbrojtura, përkatësisht pa miratimin e bartësve të të drejtave, procedura e mëtejshme është në zhvillim”, thuhet në njoftimin e Doganës kroate.



