Tabelat e “Safe City” vetëm në maqedonisht! Opozita me kritika, VLEN garanton se shqipja do të respektohet

TË FUNDIT

-Ndodhemi në bulevardin Shën Klimenti i Ohrit ku janë të vendosura kamerat e sigurisë Safe City. Këtu shohim një tabelë paralajmëruese e cila tregon se qarkullimi apo trafiku në këtë zonë është nën video-mbikëqyrje. E njëjta tabelë është vetëm në gjuhën maqedonase, raporton Almedina Ismajli – gazetare e TV21.

Edhe deputeti i opozitës Ilir Hasani mbrëmë në Click Plus ngriti shqetësim për anashkalimin e gjuhës shqipe në projektin Safe City, që sipas tij kjo ndikon që në të ardhmen gjuha shqipe të zhbëhet nga institucionet dhe të mos flitet edhe në rrugë.

“Tani duke ardhur këndej e fotografova këtë që t’ia dëshmoj të gjithëve se nuk e kanë ndërmend me u marr me implementimin e gjuhës shqipe, në këtë ligj dhe në ligjet tjera. Nuk ka arsyetim tjetër se nesër do të fillojë gjuha shqipe të limitohet edhe në shkolla edhe në institucione shëndetësore, nuk do të guxojmë të flasim gjuhën shqipe edhe në rrugë, unë kaq mund të bëj qe ta vë në pah respektimin e gjuhës shqipe, nuk mund të bëj më shumë. Unë do të jap një votë kundër çdo ligji që nuk flet shqip, “Safe City” nuk flet shqip”, theksoi Ilir Hasani – deputet, Fronti Evropian.

Ndonëse pamjet flasin ndryshe, nga VLEN thonë se Ligji për Safe City respekton plotësisht Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Akuzat se gjuha shqipe po anashkalohet nuk qëndrojnë. Në fazën përgatitore dhe teknike janë përdorur njoftime standarde testuese, por kjo nuk e ndryshon faktin se në zbatimin e plotë të ligjit, të gjitha njoftimet dhe procedurat do të jenë të disponueshme edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me ligjin”, thonë nga VLEN.

Ndryshe Ligjin për kundërvajtje kryetari i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.