Rafael Nadal në drejtimin e Real Madridit, legjenda e tenisit pranon ftesën e Florentino Pérezit

TË FUNDIT

Ish-tenisti spanjoll Rafael Nadal pritet të bëhet pjesë e Bordit Drejtues të Real Madridit. Klubi madrilen ka njoftuar zyrtarisht se ka vendosur ta propozojë emërimin e tij në këtë organ drejtues, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret më 21 nëntor, në Asamblenë e Përgjithshme të anëtarëve të deleguar të klubit.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, Real Madridi konfirmon se Bordi Drejtues, në mbledhjen e mbajtur më 4 nëntor, ka miratuar propozimin që Rafael Nadal Parera të bëhet anëtar i ri i bordit. Nadal është anëtar nderi i klubit dhe mban numrin 67.778 të anëtarësisë.

Klubi madrilen e cilëson atë një nga legjendat më të mëdha në historinë e sportit dhe një prej sportistëve spanjollë më të njohur në botë. Në komunikatë veçohen jo vetëm sukseset e tij sportive, por edhe përkushtimi, sakrifica, konkurrueshmëria, modestia dhe respekti ndaj kundërshtarëve.

Nadal: E pranova me shumë entuziazëm

Vetë Nadal ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar presidentin Florentino Pérez dhe anëtarët e Bordit Drejtues për propozimin.

“Kam pranuar këtë propozim me shumë entuziazëm, me dëshirën për të mësuar dhe për të kontribuar sa më shumë që të mundem”, është shprehur ish-tenisti spanjoll.

Çfarë pritet nga Nadal në Real Madrid?

Edhe pse emërimi i tij ende duhet të ratifikohet, ardhja e Nadalit në strukturat drejtuese pritet të sjellë një figurë me ndikim të madh sportiv dhe ndërkombëtar në institucionin madrilen.

Si anëtar i Bordit Drejtues, ai do të jetë pjesë e strukturës që merr vendime për drejtimin dhe të ardhmen e klubit. Megjithatë, deri më tani, Real Madridi nuk ka bërë të ditur se çfarë përgjegjësish konkrete do të ketë Nadal, nëse emërimi i tij miratohet.

Emri i tij lidhet me Real Madridin që nga fëmijëria. Nadal, i cili u tërhoq nga tenisi profesionist në vitin 2024, ka fituar 22 tituj Grand Slam, dy medalje të arta olimpike dhe pesë herë Kupën Davis me Spanjën. Në karrierën e tij ka regjistruar gjithsej 92 tituj individualë.

Më 21 nëntor pritet të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e klubit, ku anëtarët e deleguar do të votojnë për ratifikimin e emërimit të tij.