Ka mbaruar takimi i sigurisë në Kompleksin Presidencial në Turqi, transmeton Anadolu. Takimi është udhëhequr personalisht nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Sipas njoftimit nga Kryesia e Komunikimeve, në takim është trajtuar intervenimi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.
Në takim është theksuar se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, i cili ka shfuqizuar marrëveshjet e Minsk-ut, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe është i papranueshëm.
Në takimin e sigurisë, nën kryesimin e presidentit Erdoğan, gjithashtu janë vlerësuar përpjekjet për të ndaluar sulmin që kërcënon sigurinë rajonale dhe botërore, ndërsa Turqia do të vazhdojë të mbështesë unitetin politik, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
