Stacioni hapësinor – dëshmi e teknologjisë më të përparuar të kohës

TË FUNDIT

Ndërtimi i suksesshëm i stacionit hapësinor, objektivi përfundimtar i programit të fluturimeve hapësinore me astronautë me “tre hapa” të Kinës i filluar 30 vjet më parë, tregon mençurinë, aftësinë dhe krijueshmërinë e punonjësve kinezë të astronautikës, u shpreh kryeprojektuesi i programit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës.

Stacioni hapësinor i Kinës, me një konfigurim me tre module, përbëhet nga moduli bazë “Tianhe” dhe dy modulet laboratorike “Wentian” dhe “Mengtian”.

Me nisjen e modulit laboratorit “Mengtian” në orbitë dhe takimin e tij të suksesshëm e lidhjen me modulin bazë “Tianhe”, u krye në orbitë formimi i strukturës bazë në formë T-je të stacionit hapësinor.

Në vitin 1992 Kina nisi një strategji prej “tre hapash” për të zhvilluar programin e vet të fluturimeve hapësinore me astronautë.

Hapi i parë ishte dërgimi i astronautëve në hapësirë dhe sigurimi i kthimit të tyre të sigurt. Hapi i dytë ishte zhvillimi i teknikave dhe teknologjive të përparuara të fluturimit në hapësirë, duke përfshirë ecjen në hapësirë dhe lidhjen orbitale. Hapi i tretë ishte montimi dhe vënia në funksionim e një stacioni të përhershëm hapësinor.

Ndërtimi i stacionit hapësinor është një pikë e rëndësishme në industrinë hapësinore kineze. Për të arritur këtë qëllim, Kina i ka zgjeruar kufijtë e eksplorimit të hapësirës gjatë tre dekadave të fundit.

Si kryeprojektuesi i programit të fluturimeve hapësinore me astronautë, Zhou Jianping ka drejtuar ndërtimin dhe zhvillimin e misionit strategjik me “tre hapa”.

“Deri tani kemi përfunduar ndërtimin e stacionit tonë hapësinor, i cili është një gur kilometrik në realizimin e misionit hapësinor me tre hapa të Kinës. Mund të themi me krenari se stacioni hapësinor mund të përmbushë nevojat e studimit të shkencës hapësinore në fusha të ndryshme duke zbatuar teknologjinë më të përparuar të kohës sonë. Ai ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë hapësinore kineze,” tha Zhou.

Përfundimi i suksesshëm i ndërtimit të stacionit hapësinor nuk është vetëm një gur kilometrik në programin e fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës, por edhe një pikë e re fillimi për zhvillimin e mëtejshëm të eksplorimit të hapësirës.

“Stacioni ynë hapësinor do të hyjë në fazën e plotë të përdorimit. Mund të themi me siguri që është një platformë shumë e rëndësishme e studimit dhe eksperimentimit të shkencës hapësinore për kthimin e Kinës në një vend inovator. Hapi ynë i ardhshëm është zbritja e astronautëve në Hënë në të ardhmen e afërt,” u shpreh Zhou.