Specializantët privatë në grevë të përgjithshme! Demiri: Në 2017 nuk kanë marrë asnjë lek, kjo ka prapavijë politike

TË FUNDIT

Specializantët privatë janë në grevë të përgjithshme,  e kjo për shkak se siç thonë, kërkesat e tyre nuk u shpalosën në seancë të Qeverisë, siç u kishte premtuar Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri. Për këtë i pari i mantel bardhëve Demiri ka një përgjigje. Thotë se qeveria në seancat e kaluara ka pasur prioritete tjera dhe që nesër do të angazhohet për premtimin e dhënë ndaj specializantëve. Përveç kësaj Demiri ua kujtoi mjekëve të rinj pozicionin që kanë pasur para disa viteve kur nuk kanë marrë fare kontribute.

“Ka pasur prioritete qeveria, ose këtë të marte ose të martën e ardhshme do të diskutohet problemi i tyre. Unë detyrimisht do të duhet të bëj një rekapitullim dhe juve si gazetarë t’ua rikujtoj pozicionin e specializantëve para vitit 2017 dhe pas vitit 2017. Deri në vitin 2017 specializantët nuk kanë marrë asnjë lek nga shteti, pas vitit 2017 hynë në program qeveritar dhe fillojnë të marrin pagesa e cila është mbi 26 mijë denarë përafërsisht gati 500 euro. Me dy ose tre këste, me tre muaj pagesë ata paguajnë specializimin privatë duke mos llogaritur shtesën – kujdestarisë që paguhen spcializantët gjatë edukimit të tyre profesional. Nuk them se është ideale por dukshëm pozicioni është më i mirë se para 2017-ës”, tha Ilir Demiri – ministër i Shëndetësisë.

Ministri Ilir Demiri mes tjerash mendon se greva dhe protestat e specializantëve privatë në prag të zgjedhjeve kanë prapavijë politike.

“Duhet ta dini se nuk është pa nxitje pa prapavijë politike ky organizim, që nuk është e mirë e nuk dua më tepër ta kontestoj këtë”, dekalroi Ilir Demiri – ministër i Shëndetësisë.

Kryetari I Asociacionit të specializantëve privatë dhe mjekëve të rinj Bojan Trajkovski mohon që janë organizuar me nxitje politike.

“Unë nuk besoj se ka prapavijë politike, unë personalisht për vete mund të them se jam apolitikë dhe apartiakë në çdo aspekt të mundshëm dhe nuk më intereson ai aspekt. Normalisht që asociacioni qëndron pas specializantëve, e specializantët e kërkojnë këtë kohë të gjatë dhe sa arritëm të flasim me kolegët specializantë e qëndrimi i tyre është se kërkesat duhet të drejtohen tani sepse u ka ardh mbi kokë. Po e transmetoj atë që kanë thënë ata se u ka ardhur mbi kokë nga premtimet e rrejshme”, u shpreh Bojan Trajkovski – kryetar i Asociacionit të Specializantëve të Rinj.

Specializantët privatë janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë dhe të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në institucionet publike shëndetësor, si dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë. Përndryshe pasditen e sotme përfaqësuesit e rreth 500 specializantëve takohen edhe njëherë me Ministrin e Shëndetësisë.