SMS porosi të rrejshme në emër te institucioneve! Musliu: Me të dhënat tuaja hakerët mund të aplikojnë për kredi

TË FUNDIT

Ende nuk është zgjidhur problem i sulmit në sistemet e institucioneve kryesore që mbajnë të dhënat personale dhe informacionet më kofidenciale të identitetit të çdo qytetari.

Tashmë nëntë ditë Fondi për Sigurim Shëndetësor është pre e një sulmi kibernetik e si rezultat nuk mund të ushtrojë shërbimet e veta si duhet. Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor thonë po punohet mbi problemin, pa e ditur se kur do të zgjidhet dhe shtojnë se kanë konstatuar se nuk kanë dalë jashtë të dhënat e qytetarëve.

“FSShRMV informon publikun se funksionaliteti i sistemeve do të kthehet gradualisht në funksionim. Ky proces kërkon kohë shtesë, por ekipet teknike punojnë vazhdimisht”, thonë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor i RMV-së.

Përveç kësaj, tashmë disa ditë dërgues i panjohur duke e shfrytëzuar llogon e Drejtorisë për të ardhura publike, përmes SMS porosive ka tentuar të nxit qytetarët të shpërndajnë të dhëna personale nga kartelat debituese dhe kreditore. E porosi po dërgohen edhe në emër të policisë, ku tentohet të përthithen të dhënat personale. Nga institucionet e lartpërmendura apelojnë që qytetarët të mos hapin linqet e dërguara, të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve. Edhe eksperti i IT Llokman Musliu alarmon për kujdes, ngaqë thotë se me këto të dhëna hakerët mund të dëmtojnë qytetarët financiarisht në forma të ndryshme.

“Ai me ato informata online mund të bëj shumë gjëra, mund të ju impresionoj juve sepse mundet zyrtarisht të bëj punë të këqija, për shembull një rast që e di unë vetë është se mund të aplikojë për kredi online, me emër, mbiemër tuajin dhe numrin amë. Unë mendoj se çdokush duhet të bëj maksimum kujdes, emrin, mbiemrin dhe numrin amë mos të e shpërndaj me askënd, përveçse nëse është ndonjë institucion ose e-mail adresë që i beson. Bile unë do të kisha shkuar me atë që as në e-mail mos të shpërndajë këto informata por vetëm nëpërmjet burimeve zyrtare domethënë nëpërmjet formularëve në ato institucione ose drejtpërdrejt”, pohoi Llokman Musliu – ekspert i IT-së.

Musliu thotë se institucionet tona nuk janë aspak të sigurta, ndonëse nuk ekziston siguri absolute, tek institucionet tona as siguria bazë nuk është në nivelin e duhur.

Eksperti i IT vlerëson se është e nevojshme të merren masa nga ana e qeverisë për sulme kibernetike, ngaqë siç paralajmëron mund të jemi pre edhe të sulmeve edhe më të mëdha kibernetike dhe të ndodh sikurse në Shqipëri, të dhënat e qytetarëve të shpërndahen publikisht.