Sllovakia dhe Çekia me kritika ndaj BE! Korçok: Shpresoj në konsensus për kornizën negocuese për Maqedoninë

TË FUNDIT

Kritika dhe porosi të qarta drejt BE, për shkak të faktit që Maqedonia mbeti e bllokuar në fillimin e negociatave aderuese, dërguan shefat e diplomacisë çeke dhe sllovake, Tomash Petriçek dhe Ivan Korçok. Në fjalimin e përbashkët të publikuar në EU Observer, porositin se BE nuk duhet të bëhet gjykatës për çështjet historike, ndërsa kërkesat bullgare për interpretimet historike i vlerësojnë si befasuese dhe devijim i madh nga parimet në procesin e zgjerimit.

 “BE nuk është këtu që të konfirmojë se kush ka të drejtë e kush jo në lidhje me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin. BE bazohet në unitetin e ndryshimeve, e jo të gjykojë dhe kategorizojë. Hapja e çështjeve historike bilaterale duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale. Obligimi i RMV për të përmirësuar kinse interpretimin e gabuar, nuk është i pranueshëm. Nevojitet proces i qartë dhe drejtpërdrejtë i cili bazohet në kritere të matshme, angazhime të qarta dhe vullnet politik”, tha Tomazh Petriçek – Ministër i Punëve të Jashtme i Çekisë.

Shefi i diplomacisë sllovake, Ivan Korçok porositë e tilla i dërgoi drejtpërdrejtë nga Maqedonia ku sot është në vizitë pune. Shpreson se gjendja me pandeminë dhe karantinën, që është në shumë vende të BE, nuk do të ndikojë në mbajtjen e Këshillit për punë të përgjithshme, që duhet të mbahet nën kryesimin e Portugalisë.

 “Që të vazhdojmë përpara në këtë proces ju nevojitet konsensus i 27 (vendeve anëtare). Unë jam absolutisht i sigurt se pandemia nuk mund të na pengojë në arritjen e këtij konsensusi gjatë kryesimit të Portugalisë. Maqedonia e Veriut bëri shumë. Ne ishim aq afër sa asnjëherë më parë për arritjen e konsensusit. Sllovakia mbetet konstruktive në këto përpjekje”, potencoi Ivan Korçok – Ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë.

Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, tha se mbështetja që vjen nga Sllovakia është posaçërisht e rëndësishme pasi që BE nuk arriti konsensus për fillimin e negociatave me vendin tonë. Tha se Maqedonia mbetet e përkushtuar në reformat, por edhe në negociatat me Bullgarinë.

 “Nuk duhet të sjellim keqkuptime në BE, por në të njëjtën kohë, është objektive përshtypja e cila krijohet edhe te ne edhe te vendet tjera në rajon se procesi i integrimit mbetet i paparashikueshëm, i paqartë, thënë më saktë, shënjestër lëvizëse, i cili nuk të shpërblen për atë që ke bërë, sipas sistemit të meritokracisë, por sipas rrethanave aktuale politike”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Osmani dhe Korçak e përshëndetën vendimin që Maqedonia të hapë ambasadë në Bratislavë, me çka, siç cekën ata, do të përforcohet miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.