S’ka trotuare, ndërsa qenë endacak gjithandej! Prindërit e nxënësve të ShF “Goce Dellçev” kërkojnë zgjidhje

TË FUNDIT


Nxënësit e SHF “Goce Dellçev” në Tetovë përballem me shumë sfida për të arritur në shkollë. Nuk ka trotuar, makina të parkuara vend e pa vend, qenë endacak gjithandej, madje ka edhe plot mbeturina. Prindërit janë të shqetësuar andaj kërkojnë të merren masa sa nuk ka ndodhur ndonjë aksident fatal.

“Bisedohet për fëmijët tonë pasi kemi frikë se fëmijët tanë nuk kanë as trotuar, ka shumë komunikacion të ngarkuar dhe ka ndodhur një tragjedi që është aksidentuar një vajzë, gjenden shumë kosha plehrash para shkollës ku grumbullohen shumë mbeturina edhe mblidhen edhe qentë endacak, fëmijët kafshohen nga qentë edhe nuk mund të hynë në vetë shkollë.”

“Ne prindërit frikohemi kur fëmijët vijnë në shkollë, mos e shkel vetura, mos e kafshojnë qentë është katastrofë. Kjo nuk e di se si nuk mund të zgjidhet.”

Pyetem ne komunën e Tetovës, nga atje thonë se komunikacioni i takon sektorit për Punë të Brendshme.

“Siguria në komunikacion nuk është në kompetencë të Komunës së Tetovës, për këtë çështje përgjegjësia bie drejtpërdrejtë tek pjesëmarrësi në komunikacion dhe tek SPB Tetovë, pasi nga ana e komunës shenjat e komunikacionit janë vendosur”, deklaruan nga Komuna e Tetovës.

E nga SPB Tetovë thonë se ekipet e tyre patrullojnë vazhdimisht në atë pjesë, por se problem është infrastruktura joadekuate në atë pjesë të qytetit.

“Sipas vëzhgimeve të SPB-së Tetovë, problem vendimtar për kushtet në të cilat reagojnë qytetarët, për të cilin ju potenconi, është infrastruktura joadekuate në atë pjesë të Tetovës, e cila nuk është e dimensionuar dhe nuk përgjigjet për frekuencën momentale dhe në të ardhmen të automjeteve dhe njerëzve”, thanë nga Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë.

Derisa institucionet hedhin fajin te tëra tjetra, prindërit paralajmërojnë se nëse nuk marrin masa ata do të bllokojnë rrugën në shenjë proteste.