Mungesa e sportistëve dhe punonjësve sportivë shqiptarë në mesin e laureatëve me çmimin shtetëror “8 Shtatori” ka përplasur sërish opozitën dhe bllokun shqiptar në pushtet. Sipas kryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami, vendimet për çmimet i marrin komisionet përkatëse mbi bazën e aplikimeve. Kasami theksoi se manifestimet nuk duhet të shihen përmes kuotave të përcaktuara etnike, pasi në ngjarje të tjera përfaqësimi i shqiptarëve mund të jetë më i madh.
“Janë komisionet ato të cilat bëjnë vlerësimin në bazë edhe të aplikimeve dhe kërkesave, por sigurisht që ka manifestime ku do të ketë apo ka pasur më shumë shqiptarë, prandaj nuk i shohim ne manifestimet e veçanta si diçka që duhet pra të ketë patjetër numër të caktuar të komuniteteve. Pra, konform angazhimit dhe kontributit që japin komunitetet në fusha të caktuara, ndonjëherë mund të ketë më pak apo më shumë. Kjo do të thotë se në një çmim tjetër, në një manifestim tjetër besoj që shqiptarët do të jenë më të përfaqësuar”, tha Kasami.
Nga ana tjetër, reagimi i Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë ditës së djeshme ka qenë i menjëhershëm. Përmes një komunikate publike, nga BDI theksojnë se shqiptarët po përjashtohen nga vlerësimet shtetërore, ndërsa akuzojnë koalicionin VLEN për heshtje.
“Në shpërblimet shtetërore ‘8 Shtatori’, edhe këtë vit rezultati është i turpshëm: 0 shqiptarë. Asnjë sportist, asnjë trajner, asnjë emër shqiptar në mesin e të vlerësuarve. Pra, për këtë qeveri, shqiptari është i mirë vetëm kur duhet ta përfaqësojë shtetin dhe të sjellë medalje, por bëhet i padukshëm kur vjen momenti që shteti ta njohë dhe ta shpërblejë suksesin e tij. Kur shqiptarët përjashtohen, VLEN hesht”, thonë nga BDI.
Çmimi shtetëror “8 Shtatori” është mirënjohja më e lartë që ndan shteti çdo vit me rastin e Ditës së Pavarësisë, për të vlerësuar arritjet kulmore në fushën e sportit. Këtë vit, komisioni përkatës ka ndarë gjithsej 5 çmime – një për vepër jetësore dhe katër mirënjohje për arritje sportive. Megjithatë, në listën e 5 të laureuarve të sivjetshëm nuk figuron asnjë emër shqiptar, gjë që nxiti reagime të ashpra në opinionin publik.
